Ndalesa për ujin në Gostivar vazhdon, Mickoski pret nesër komunikatë për të përdorur ujin për nevoja teknike
Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se rezultatet e fundit të ujit në Gostivar janë të mira dhe pret që deri nesër të publikohet komunikatë për përdorimin e ujit për nevoja teknike. Mickoski akuzoi opozitën për shpërndarje të gënjeshtrave dhe histerisë lidhur me incidentin në Gostivar ku u helmuan mijëra qytetarë nga uji i pijshëm.
– “Tërë përgjegjësia dhe kompetencat për atë çfarë ka ndodhur në Gostivar është lokalizuar tani për tani nga ana e Prokurorisë, më tej ata do të vazhdojnë të lokalizojnë nëse nevojitet edhe përgjegjësi e re të lokalizohet”.
– “Ekipet nga ujësjellësi i Shkupit janë në Gostivar, punojnë në hiperklorizimin e instalimeve. Pres që prej sot, edhe pse rezultatet janë të mira, ja të jem konservator të themi, nesër të dalë komunikatë se uji është teknikisht në rregullt për ta shfrytëzuar”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë nga opozita kërkojnë përgjegjësi nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institucioneve shëndetësore pasi sipas tyre, kanë vepruar me vonesë dhe kjo ka ndikuar që të rritet numri i pacientëve.
“Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski pranoi se dritat e kuqe janë ndezur me vonesë në Gostivar. Klekovski pranoi se institucionet janë vonuar. Jo se ka dashur ta thotë të vërtetën, por sepse nuk mundej ta fshehë paaftësinë. Në Spitalin e Gostivarit tanimë ndihmë kanë kërkuar mbi 4.000 qytetarë, janë sëmurë pasi dritat e kuqe të Mickoskit dhe Klekovskit janë kyçur shumë vonë. Ky pranim i Klekovskit nuk e zvogëlon fajin, por e konfirmon. Ky është pranim i kolapsit të tërësishëm të sistemit nën udhëheqjen e Mickoskit dhe organizatës së tij kriminale”, deklaroi Renata Mlladenovska nga LSDM.
Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se epidemia me ujë të pijshëm në Gostivar është në rënie, ndërsa rastet ditëve të fundit janë zvogëluar. Numri i përgjithshëm zyrtar që janë paraqitur me shqetësime nga helmimi është mbi 4.000. Te shumica e pacientëve janë gjetur bakteret Astravirus dhe Shigjella, ndërsa autoritetet paralajmërojnë që të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve në të kundërtën mund të paraqiten hepatiti A dhe E, apo inflamacione të mëlçisë. Deri tani, në cilësinë e të dyshuarve ndodhen në paraburgim tre udhëheqës të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Gostivarit “Komunalec”, pasi dyshohet të kenë vendosur pompa uji, të cilat kanë injektuar ujë të ndotur në ujësjellësin e Gostivarit. /Alsat.mk








