Kuvend, miratohet Ligji i Shtetësisë

Kuvendi miratoi Ligjin e Shtetësisë. “Për” votuan të gjitha partitë shqiptare dhe LSDM-ja. VMRO-DPMNE-ja votoi kundër. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela i bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë menjëherë për shtetësi.

 “Urime dhe për periudhë kohore shumë të shkurtër ata do të kenë të drejtën të aplikojnë dhe shumicës së tyre vetëm do t’i konstatohet shtetësia me ligjin neve e kaluam”- deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi deklaroi se me miratimin e ligjit, Kuvendi pranoi padrejtësinë ndaj shqiptarëve.

 “Sot me votimin e këtij ligji Kuvendi ka pranuar një faj që ua ka bërë qytetarëve dhe prej sot e andej ua njeh këtë të drejtë dhe besoj se në të ardhmen nuk do të ndodhin gjëra të tilla që qytetarët të diskriminohen në këtë nivel”– pohoi Afrim Gashi, Kryetar i AAA-së.

Kreu i Komisionit për Çështje Evropiane nga radhët e BDI-së, Arbër Ademi deklaroi se Ligji i Shtetësisë do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

 “Edhe një herë u konfirmuar ajo që kemi deklaruar më herët se bëhet fjalë për zgjidhje e cila është bazuar në zgjidhjen ligjore të vitit 2004”– tha Arbër Ademi, Kryetar i KÇE-së.

Miratimi i Ligjit të Shtetësisë erdhi pas marrëveshjes mes Qeverisë dhe Koalicionit Aleanca-Alternativa, të cilës i parapriu bllokada disa mujore e Kuvendit. Dispozitat ligjore lehtësojnë procedurat për marrjen e shtetësisë përmes vetëm një dokumenti. Zgjidhja e parë ligjore ishte bllokuar në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button