Kuvend, opozita ankohet për anashkalimin e shqipes

Deputetët shqiptarë të opozitës vlerësojnë se ligji për përdorimin e gjuhëve nuk gjen zbatim të plotë në Kuvend. Në ditën e fundit të mundësisë për parashtrimin e amendamenteve për propozim-ligjin për rishikimin e buxhetit, deputetët edhe pas fillimit të seancës, nuk e kishin matrialin në shqip. Ata ankohen se pse institucionet kompetente lejohen të procedojnë në Kuvend propozim-ligje ose ndryshime vetëm në gjuhën maqedonase.

“Duhet të sanksionohet Qeveria, duhet të sanksionohen ministritë përkatëse, duhet të sanksionohet Kuvendi bashkë me kryetarin pse lejon të pranohen dokumentet vetëm në një gjuhë. Imagjinoni 45 propozim-ligje dërgon ministri i Financave që është shqiptar, 15 dërgon ministri i Ekonomisë që është përsëri shqiptar, të gjitha vetëm në gjuhën maqedonase”, tha Skender Rexhepi, Koordinator i grupit parlamentar ASH-AAA.

Nga Kuvendi thonë se propozim-ligjet dhe ndryshimet si dhe materialet e tjera janë përkthyer gjithmonë edhe në gjuhën shqipe. Për mediat, kryeparlamentari Talat Xhaferi, ditë më parë tha se Kuvendi nuk neglizhon përdorimin e shqipes.

“Ka ligje që janë të reja, nuk janë ndryshime. Përkthehet pjesa materiale për atë çfarë rregullon ligji i ri dhe arsyetimet në fund çfarë rregullon ky ligj i ri që miratohet në Parlament. Për këtë çështje, unë nuk pajtohem se Parlamenti neglizhon përdorimin e gjuhës shqipe”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Opozita shqiptare, ditë më parë, reagoi edhe për faktin që në faqen elektronike të Kuvendit, gjatë transmetimit të seancave, fjalimet e tyre përkthehet dhe transmetohen vetëm në maqedonisht.

Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili hyri në fuqi në janar të 2019 shkruan që në institucionet e pushtetit shtetëror, që gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button