Kuvend, ndërpritet debati për gazsjellësin

Kuvendi pas më shumë se 20 orëve, mëngjesin e sotëm ka ndërprerë debatin mbi projektligjin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dekadëshe midis shtetit dhe AD GAMA. Pritet caktimi i seancës së 20-të, ku pritet që ky propozim-ligj të jetë në rend të ditës, transmeton Alsat.

Gjatë debatit, deputetët e opozitës përmes fjalimeve, replikave, dhe kundër-replikave u munduan ta parandalojnë këtë propozim-ligj. Për ta ky ligj paraqet skandal, sepse mosmarrëveshja me Makpetrolin mbi pronësinë e sistemit nacional të gazsjellësit duhet të ishte zgjidhur në gjykata.

“Madje, paramendoni, nuk paska pasoja financiare. Ka pasoja financiare për subjektet, por kuptohet, ato do jenë në plus, por Qeveria dhe shteti do jenë në minus. Për vetë ligjin, nuk mundet me ligj të zgjidhni mënyrë për zgjidhjen e kontestit”, pohoi Gordana Siljanovska Davkova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Por, pushteti nuk sheh asgjë kontestuese në këtë. Në përgjigje gjatë debatit, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se duhet të bëhet dallim midis vlerës nominale dhe aktuale të secilës Shoqatës Aksionare dhe shtoi se në vitin 2006 kur u themelua Sh.A. GA-MA vlera nominale ishte 1500 denarë për aksion, ndërsa aktualisht është 12,500 denarë.

“Vetëm tubacioni i gazit Klekovce-Shtip me gjatësi prej 61 km kushton 71 milion euro. Me ndërtimin e tubacionit të gazit, si shtet do të fitojmë energji më të lirë dhe do të zvogëlojmë ndotjen e mjedisit dhe industria do të bëhet më konkurruese në nivel global”, tha Bekteshi.

Para gjykatave, shteti dhe “Makpetrol” kanë zhvilluar tre procese gjyqësore që nga viti 2005 në të cilat është kërkuar të përcaktohet struktura e pronësisë në SH.A “GAMA”. Me këtë propozim- ligj, shteti do të duhet të paguajë 32 milion euro “Makpetrol-it” dhe ta blejë aksionin që e posedon kompania, pas çka do të bëhet pronar i të gjithë sistemit të gazit.

LEXO EDHE:

Back to top button