Kuvend, pritet vazhdimi i seancës për gazsjellësin

Debati në Parlament rreth mosmarrëveshjes së qeverisë dhe Makpetrol mbi kompaninë e gazit natyror “GAMA” zgjati tërë natën. Seanca përfundoi në orët e mëngjesit. Pas 21 orë debat dhe pasi u shterr lista e 39 deputetëve të VMRO – DPMNE-së që diskutuan për propozim-ligjin,  pushteti nuk kishte deputetë të mjaftueshëm që ligji të votohet. Deputetët e VMRO-DPMNE vlerësojnë se kanë penguar miratimin e ligjit. Pas natës së tensionuar, sot opozita theksoi se LSDM me çdo kusht dëshiron t’i paguajë Makpetrol 33 milion euro për 50 përqind të gazsjellësit, megjithëse pjesa e kompanisë ishte 18.8 milion euro.

“Shtrohet pyetja: Pse Qeveria dëshiron t’i paguajë Makpetrol 14.2 milion euro shtesë? Avokati i shtetit nuk ka dashur t’i japë leje Kryeministrit Zaev ta nënshkruaj marrëveshjen, sepse ajo është kriminale. Zaev e di se ajo që po bën është e paligjshme dhe se për këtë do të ketë përgjegjësi. Prandaj i detyron deputetët me ligj t’ia legalizojnë krimin”, tha Dafina Stojanovska, VMRO – DPMNE.

LSDM-ja thotë se nuk shpejtojnë me miratimin e ligjit, me të cilin shteti duhet të bëhet pronari i gazsjellësit.

“Bëhet fjalë për procedurë të rregullt që ne si deputetë kemi për  detyrë ta realizojmë, gjegjësisht t’i realizojmë të gjitha ato projekte që janë filluar më parë. Është e qartë që sjellja destruktive e grupit parlamentar të VMRO – DPMNE-së vazhdon në çdo aspekt të funksionimit të tyre në Kuvend”, pohoi Mile Talevski, LSDM.

Nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, për Alsat thonë  se nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur mund të votohet ligji për gazsjellësin. Kjo në rend dite mund të vihet nga e hëna, me çka Makpetrolit do i paguhen mbi 30 milion euro që shteti të bëhet pronar i plotë gazsjellësit.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button