Kuvendi bllokohet nga mungesa e kuorumit

Opozita lëshon sallën, ndërpritet seanca

Opozita lëshoi sallën e seancave plenare dhe shumica mbeti pa kuorumin e nevojshëm për vazhdimin e seancës. Kuvendi sot nuk arriti të përfundojë as seancën e 20 të nisur para një muaji dhe as seancën e 21 të nisur dy javë më parë. Ishin mbledhur për dhjetëra pika që ishin në rend dite, por deputetët punuan më pak se një orë. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se në koordinimin paraprak mes partive parlamentare ka pasur konsensus për vazhdimin e këtyre dy seancave.

Shpresonim se varësisht situatës së krijuar shëndetësore, kolegët tonë deputetë nuk do ta keqpërdorin por për fat të keq mbizotëroi interesi politik përball interesit të përgjithshëm të qytetarëve dhe institucioneve. Këtu edhe unë si kryetar, por edhe shumica si shumicë për shkak të arsyeve shëndetësore nuk mund të përgjigjet dhe të sigurojë atë që duhet të sigurojë”-tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Deri tani opozita nuk është sqaruar se pse vendosi ta lëshojë sallën. Rreziku i bllokimit të punës së Kuvendit është paralajmëruar disa herë, pasi tre deputetë nga gjithsej 62 që përbëjnë shumicën kanë vendim për izolim ose janë të infektuar. Kjo sipas Xhaferit është një arsye më shumë që opozita të vetëdijesohet dhe të pranojë ndryshimin e Rregullores, gjegjësisht që deputetët e infektuar të mund të votojnë “online”. Xhaferi shtoi se është i detyruar ta ndërmarrë këtë si dhe masa të tjera, me qëllim që Kuvendi të përmbushë detyrimin e tij.

Prej kohësh Kuvendi thirr më pak se një seancë dhe mesatarisht 7-8 seanca të komisioneve në javë. Kjo ka bërë që procedura e miratimit të ligjeve të zhvillohet shumë ngadalë. Disa nga ligjet që kanë mbetur pa shqyrtuar janë ato për ndihmë të nxënësve dhe studentëve, ligji për huamarrje të re, zgjedhja e gjykatësit të kushtetueses, etj.

Në rend dite është edhe nisma e përbashkët e opozitës, VMRO-DPMNE-së, Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe “Të majtës”, për formimin e një Komisioni për mbrojtje dhe menaxhim me pandeminë ose epideminë, organ i cili, sipas opozitës, duhet të zëvendësojë Komisionin aktual për sëmundje ngjitëse.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button