Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën për Specialen me 99 vota për

" "

Gazetare: Amila Rashidi

Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katërshes së UÇK-së. Deputetët thanë se e konsiderojnë “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” të katërshes. Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu tha se Kuvendi kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës së UÇK-së.

“Lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij. Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe çlirimit të vendit.” – Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit.

Në deklaratë, Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, ku bashkërendohen të gjitha veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës për luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

“Në Kosovën e vitit 1998 dhe 1999, ekzistenca e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykimet e tribunalit ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte në kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë të flitet për luftën në Kosovë.” –  Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit

Miratimi i deklaratës u bë në kohën kur PDK-ja ka propozuar ndryshime në projektligjin Dhomave të Specializuara në të cilin parashihet që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë. PDK kërkon nga Qeveria që ta sjellë projektligjin në Kuvend

“Ju e dini se ne e kemi draftuar dhe proceduar amendamentimin e ligjeve për Dhomat e Specializuara dhe ligji është në Qeveri. Andaj e shfrytëzoj rastin dhe këtë moment që me trajtu ligjin me përgjegjshmëri dhe urgjencë. Kërkon përgjegjësi kombëtare, por edhe veprim të shpejtë brenda suazave dhe rrethanave. Të trajtohet ligji me urgjencë dhe të kthehet në Kuvend. Komisionet u formuan dhe s’ka asnjë arsye që ligji të vonohet. Presim që Qeveria të bëjë punë në vet sot dhe nesër ose pasnesër ta kthejë ligjin në Kuvend dhe të gjejë mbështetjen.” -Arian Tahiri, PDK

Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës. PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale. Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa LVV në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa LDK ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button