“Llaskarca” arriti në Apel, gjyqtar referuar është caktuar Betim Jahja

" "

Gazetar: Suad Bajrami

Gjykata e Apelit e ka pranuar vendimin e Gjykatës Supreme për rishqyrtim të lëndës për aksidentin e “Llaskarcës”, ndërsa gjyqtar raportues është caktuar Betim Jahja, njofton Alsat. Gjyqtari duhet ta studiojë lëndën, vendimin e Supremes dhe arsyet pse është shfuqizuar vendimi paraprak. Ndërkohë duhet të formohet edhe Këshilli Gjykues, ndërsa më pas duhet të veprojë sipas udhëzimeve të Supremes. Për shkak interesit të lartë në opinion, pritet që të mbahet seancë publike.

Lënda u kthye në rishqyrtim pasi Supremja konstatoi se ka mangësi në arsyetimin e përgjegjësisë penale të të dënuarve, veçanërisht në shpjegimin se si veprimet e secilit kishin kontribuar në aksident, në vlerësimin e gjendjes teknike të autobusit dhe të provave e ekspertizave, si dhe sepse Apeli nuk ishte përgjigjur në mënyrë të mjaftueshme ndaj të gjitha pretendimeve të ankimeve.

Ndërkohë që pritet Apeli të vendos për çështjen, aktualisht të gjithë të akuzuarit për tragjedinë e Llaskarcës ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, janë liruar nga burgu. Arsyeja është se me vendimin e Supremes është rrëzuar vendimi i plotfuqishëm i Apelit, në bazë të të cilit gjashtë të akuzuar mbaheshin në vuajtje të dënimit. Duke filluar nga i akuzuari i parë Durmish Beluli, i akuzuari i tretë Igor Gjorgjievski, pastaj Goran Dukovski, Jane Babarovski dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski.

I vetmi që i është shmangur burgut është i dyshuari i dytë Remzi Miftari, i cili vazhdon të mbetet në arrati, ndonëse Gjykata e Gostivarit konfirmoi për Alsat se pas vendimit të Supremes, do të tërhiqet fletarresti. Miftari kishte shtyrë mbajtjen e dënimit me arsyetimin se po bëhet operacion për “Hernia” apo “kilë”, por pas shërimit në vend se të paraqitej në burg, u arratis.

Për vendimin e Supremes pati reagime të shumta në opinion. Ndërkohë që kryeministri e quajti zhgënjyes, familjarët me komunikatë thanë se vendimi është i pabesueshëm. Sipas tyre, pas më shumë se 150 seancave gjyqësore maratonike, vendimi i këtillë i ringjall kujtimet e dhimbshme dhe traumat nga ngjarja tragjike, ndërsa e zvarrit drejtësinë të cilën e presin me vite. Familjarët shprehen se si rezultat i tragjedisë familjet kanë pësuar probleme shëndetësore dhe psikologjike, për çka ndërkohë kanë ndërruar jetë katër familjarë të viktimave.

Reagoi edhe pronari i akuzuari Durmish Beluli, pronar i “Durmo Tursit”. Sipas tij, “heshtja nuk është më virtyt”. Ndërsa porositi se vendimet gjyqësore duhet të respektohen, por drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e bazuar ekskluzivisht në prova, e jo në presione politike dhe mediatike.

Gjykimin për aksidentin e “Llaskarcës” e ka ndjekur hija e akuzave për zvarritje duke e pasur parasysh se po kërkohet drejtësi gati 7 vjet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button