Kuvendi miratoi Rregulloren e re, votuan LSDM, BDI, VMRO DPMNE dhe të tjerët, përveç të majtës

Kuvendi miratoi Rregulloren e re, votuan LSDM, BDI, VMRO DPMNE dhe të tjerët, përveç të majtës.

 Në kuadër të seancës së 131-të, sonte me 83 vota “pro” dhe dy “kundër”, Kuvendi miratoi Rregulloren e re të Kuvendit, e cila do të zbatohet nga mandati i ardhshëm parlamentar. Rregullorja e re është rezultat i diskutimeve disavjeçare mes deputetëve të kësaj përbërje dhe asaj të mëparshme parlamentare në kuadër të procesit “Jean Monnet”.

Për Rregulloren e re votuan deputetët e shumicës qeverisëse të udhëhequr nga LSDM-ja, deputetët e BDI-së, të VMRO-DPMNE-së, të AA-së dhe të gjithë të tjerët, përveç dy deputetëve të së majtës.

Seanca e sotme është ndërprerë tri herë dhe deputetët e së majtës kanë kërkuar që të ndërpritet dhe kanë shkaktuar incident duke i shpërndarë fletët e amendamenteve të tyre dhe deputeti Borislav Krmov ka thyer një pjesë të inventarit nga tryeza e kryesisë – kompjuter, telefon etj. Deputetët e së majtës kishin dorëzuar mbi 2000 amendamente, ndërsa kryetari i Kuvendit dhe propozuesi i Rregullores tha se vetëm 12 janë të pranueshme, ndërsa të tjerat janë të pabazuara.

Ngjarja e shkaktuar nga deputetët e së majtës ndodhi në vazhdimin e parë të seancës, ndërsa protesta dhe kundërshtimi i tyre ndaj vendimeve të Xhaferit dhe Kuvendit vazhdoi edhe në seancat në vijim. 

Për shkak të dëmeve të shkaktuara nga incidenti i sotëm, kryetari i Kuvendit Xhaferi tha se vazhdimi i radhës i seancës së 131-të do të mbahet në sallën me kupolë, si gjithë të tjerat deri në sanimin e dëmeve.

LEXO EDHE:

Back to top button