Kuvendi shpalli konkurs për prokuror të ri publik shtetëror më 29 dhjetor – Gazeta Zyrtare e publikoi atë para dy ditësh

Kuvendi shpalli konkurs për prokuror të ri publik shtetëror më 29 dhjetor – Gazeta Zyrtare e publikoi atë para dy ditësh

Gazetar: Mihajllo Donev

Edhe pse Kuvendi më 29 dhjetor shpalli konkurs për prokuror publik shtetëror, afatet për paraqitje kanë filluar të vlejnë para dy ditësh, përkatësisht më 12 janar, pasi konkursi u publikua edhe në Gazetën Zyrtare. Kandidatët do të kenë afat dy javor për paraqitje dhe, përveç kushteve të përgjithshme, do të duhet të plotësojnë edhe kushte të veçanta të parashikuara me Ligjin e Prokurorisë Publike.

“Përveç kushteve të përgjithshme, kandidati që do të aplikojë në konkurs duhet të ketë përvojë të pandërprerë prej së paku 10 vitesh si prokuror publik ose 10 vjet përvojë si gjyqtar në fushën e së drejtës penale”, thuhet në Gazetën Zyrtare.

Sa i përket kushteve të përgjithshme, në konkursin e publikuar thuhet se, përveç faktit që personi duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, duhet të ketë përfunduar studimet me 300 kredi të fituara, si dhe të ketë dhënë provimin e jurisprudencës në vend. Afati për paraqitje, sipas ligjit, është 15 ditë, që do të thotë se të gjithë kandidatët e interesuar nga të gjitha nivelet e prokurorisë në mbarë vendin, të cilët i plotësojnë kushtet, do të mund të aplikojnë në këtë konkurs deri më 27 janar.

“Në opinionin publik për momentin nuk ka shumë spekulime me emra se kush do ta udhëheqë Prokurorinë Publike shtetëror në periudhën e ardhshme, ndërsa, siç ka raportuar më herët Alsat, jozyrtarisht nga burimet tona mësojmë se në lojë janë tre kandidatë – përkatësisht prokurorët Jovan Cvetanovski, Vladimir Milosheski dhe Zlatko Bikovski”, raporton gazetari i Alsat, Mihajllo Donev.

Ligji parasheh që pas afatit 15 ditor, Këshilli i Prokurorëve Publik do të duhet të përgatisë mendim për të gjithë kandidatët dhe ta dorëzojë atë në Qeveri. Më pas, Qeveria duhet të zgjedhë një kandidat dhe ta propozojë atë në Kuvend, ku deputetët në seancë plenare do të votojnë për atë propozim. Prokurori publik shtetëror në Maqedoninë e Veriut zgjidhet me 61 vota dhe me mandat gjashtëvjeçar. Prokurori i ri publik shtetëror vjen në vend të Ljupço Kocevskit, i cili në dhjetor të vitit të kaluar dha dorëheqje, para se deputetët në Kuvend të votonin për shkarkimin e tij./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button