fbpx

Kuvendi shqyrton vendimin për zgjedhjen e pesë nënkryetarëve


Pesë deputetë pritet të kenë mundësi të jenë nënkryetarë të Kuvendit në përbërjen e re parlamentare. Propozimi i kryeparlamentarit Talat Xhaferi u debatua paraprakisht. Opozita vlerëson se numri prej pesë nënkryetarësh është shumë i lartë dhe nuk është në shërbim të racionalizimit të shpenzimeve në kohë krize.

 “Është turp njerëz. Në kohë krize kur të gjithë i racionalizojnë statuset dhe detyrimet, ne zgjedhim pesë nënkryetarë. Prisja ta ulnit numrin në dy sepse besoj se në të drejtën parlamentare krahasuese, sipas numrit të deputetëve, ne kemi numërin më të lartë prej pesë nënkryetarësh. Në mënyrë të panevojshme bëhet luftë për status. Shumë prej tyre kurrë nuk do të ulen këtu dhe as Kuvendi nuk do të ketë dobi prej punës së tyre- deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, VMRO-DPMNE  

Por shumica thotë se vendimi nuk nënkupton që patjetër do të ketë pesë nënkryetarë të Kuvendit. Vendimi parasheh numrin optimal të mundshëm. Edhe opozita ka mundësi të propozojë njërin nga deputetët për këtë pozitë.

 “Fillimisht opozita duhet të vendosë a do të kandidojë nënkryetar ose jo. Të bëhet dramë se ky është shpenzim shtesë dhe gjëra të tjera, nuk është korrekte para qytetarëve. Ky është numër që caktohet me vendim. A do të ketë 2 ose 3, këtë do ta caktojmë në mënyrë plotësuese do të diskutojmë edhe si shumicë por edhe me opozitën- tha Jovan Mitrevski, LSDM.

 Në përbërjen e kaluar ishte po ashtu në fuqi vendimi për pesë nënkryetarë të Kuvendit por këtë funksion e ushtruan vetëm katër, Goran Misovski, Frosina Remenski, Zekir Ramqilloviq dhe Vesel Memeti. Në ulësen e drejtuesit të seancës për të zëvendësuar Xhaferin në seanca plenare nuk është ulur kurrë asnjë nënkryetar tjetër përveç Misovskit. Edhe në paraqitjet publike, kryeparlamentari Xhaferi është zëvendësuar vetëm nga Misovski. Nënkryetarët paguhen nga 75 deri 80 mijë denarë në muaj, 15 deri 20 mijë denarë më shumë se sa deputetët. Atyre duhet t’u sigurohet kabinet dhe nëpunës të kabinetit gjë që nënkupton shpenzime shtesë nga buxheti i Kuvendit. Nga viti 2006 deri në vitin 2016, Kuvendi ka pasur nga tre nënkryetarë. Më herët, ky numër ka lëvizur mes katër dhe pesë nënkryetarëve.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button