Kuvendi vijon konkursi për Avokatin e Popullit

Kuvendi zgjodhi një formë tjetër, jo përmes komunikimit zyrtar me Alsat, por nëpërmjet rrjetit social fejsbuk të njoftojë se konkursi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit veçmë është shpallur dhe po rrjedh. Në përgënjeshtrimin e informacioneve të Alsat për vonimin e procedurës, nga ligjvënësi thonë se vendimi për shpalljen e konkursit është marrë në seancën e 26 nëntorit kurse konkursi është shpallur pak ditë më vonë.

Kuvendi:

“Afati 15-ditor ka filluar të rrjedhë prej datës 30 nëntor 2020 dhe akoma është aktiv, që do të thotë se në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet fjalë për mosrespektimin e ligjit, sidomos jo për mosshpalljen e konkursit në kohë.”

Nga Kuvendi duke bërë thirrje për profesionalizëm gjatë informimit, thonë se nuk ka vonesa dhe është respektuar ligji. Por ligji për Avokatin e popullit thonë ndryshe. Mandati i dytë i Avokatit aktual të popullit, Ixhet Memeti, skadon më 24 dhjetor. Nga shpallja e konkursit deri në skadimin e mandatit kanë mbetur vetëm edhe 24 ditë. Ligji parashikon detyrimisht që Kuvendi të shpallë konkursin të paktën tre muaj para skadimit të mandatit. Kjo d.t.th. se që procedura të ishte e plotë dhe ligjore, konkursi duhet të ishte shpallur të paktën më 24 shtator.

Ligji për Avokatin e popullit:

“Procedura për zgjedhjen e avokatit të popullit dhe zëvendësve të tij fillon tre muaj para skadimit të mandatit të tyre. MË SË VONI TRE MUAJ para skadimit të mandatit të Avokatit të popullit, Kuvendi shpall konkurs.”

Nga Kuvendi nuk u ishin përgjigjur pyetjeve të Alsat edhe pse reagimi vjen mbi lëvdatën për transparencë. Alsat ka adresuar zyrtarisht pyetje te Kuvendi më 3 dhjetor, tre ditë para publikimit të lajmit për vonesën e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të popullit. Për pyetjet zyrtarisht janë njoftuar edhe shërbimet, është kërkuar të merren parasysh dhe të na jepet një përgjigje, se deri ku është procedura për shpalljen e konkursit. Në vend që të përgjigjen, shërbimet për marrëdhënie me mediat vendosën të heshtin.

Alsat prej muajsh nuk ka marrë përgjigje në shumë prej pyetjeve të nisura zyrtarisht në adresën e Kuvendit. Përveç për avokatin e popullit, për këtë periudhë disamujore kemi kërkuar sqarime deri ku është procedura për formimin e disa grupeve bilaterale të deputetëve dhe delegacioneve të Kuvendit në disa organizata ndërkombëtare dhe deri ku është formimi i Këshillit nacional për eurointegrime. Për asnjërën nuk kemi marrë përgjigje.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button