Lagjja e vilave është lënë në harresë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Kjo është lagja e vilave këtu në Kodrën e Diellit. Kjo rrugë e kësaj lagje, po kërkohet nga banorët që të rregullohet tash e më shumë se një dekadë. Mungesat e kësaj rruge janë të shumta. Përveç gropave që ka, në këtë lagje mungon në pjesën më të madhe edhe kanalizimi fekal por edhe ai atmosferik. Premtime sa të duash, çdo vit, por realizim deri ditën e sotme ende nuk ka parë kjo rrugë, përveç disa rregullimeve të vogla që i kanë bërë vetë banorët”.

Habil Bexheti, është njëri nga banorët më të vjetër në këtë lagje. Ai thotë se, lënia në këtë gjendje të rrugës së vilave, është turp i madh. Akuzon inspektoratin se nuk kryen si duhet punën.

Takime kemi pasur me gjithë funksionarët që kanë qenë deri më tani, sepse unë jam aty më se 45 vite, premtime kanë dhënë gjithnjë, sidomos para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve vazhdon të mbetet zi e më zi. Më së pari duhet të bëhet kanalizimi, asfaltimi i rrugës e tjera. Në këtë kohë asnjë inspektorat nuk punon, jo vetëm këtu por edhe në qytete të mëdha. Çka është problemi se di, mirëpo populli e vuan këtë. Ka ardhur fundi më duhet një herë për gjithmonë të zgjidhet ky problem, u shpreh Habil Bexheti banor në Lagjen e Vilave.

Gazetari: A është e vërtetë se mbi 50 për qind e atyre që kanë ndërtuar pa leje janë funksionar?

Edhe më shumë, jo 50 për qind por më shumë, sidomos këta vitet e fundit janë ndërtuar më shumë pa leje. Më parë, është dashur të merret leje, sa duhet të jetë e madhe ajo shtëpi çka duhet të ketë, por tash kësi gjëra nuk ka”.

Nga komuna e Tetovës janë në dijeni për gjendjen e lagjes së vilave, ndërsa paralajmërojnë investime në këtë rrugë.

Kemi paraparë fonde dhe tashmë janë në procedurë tenderimi, dhe pas përfundimit të kësaj faze dhe shpalljes së furnizimeve publike, kompania fituese do nis menjëherë në meremetimin e rrugëve të këtilla po ashtu edhe në rrugën që është tek vikend shtëpizat e Kodrës së Diellit. Gjithë ata që kanë nisur ndërtimet pa leje ua kemi ndërprerë derisa të kemi një plan detal urbanistik e që pastaj të mund të ndërtohet në atë zonë, deklaroi  Besar Durmishi. Kryetar i këshillit komunës së Tetovës.

Përveç problemit të ndërtimeve pa leje në këtë lagje, shtëpizat e lagjes së vilave në Kodër të Diellit po pësojnë edhe një ndryshim drastik nga ajo që parashihet me ligj për ndërtimin e tyre, siç është zgjerimi i tyre me çka disa prej tyre janë shndërruar në pallate madje edhe katër katëshe. /alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button