Lajçak sot viziton Serbinë
Lajçak sot viziton Serbinë
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 10 shtator. Lajçak sot do të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi Presidenca serbe.
Diplomati sllovak shkroi më 8 shtator në Facebook se do ta vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për të njëjtin qëllim, javën e kaluar Lajçak vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, emisari evropian nuk tregoi se kur do të mbahet ky takim.
Gjatë adresimit për media në Prishtinë, pas takimit me Bislimin, Lajçak po ashtu tha se Serbia ka tërhequr letrën që kishte dërguar në Bruksel vitin e kaluar, përmes së cilës kishte shprehur rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj./REL/