Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë, por nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ishte i lehtë.
Në një deklaratë për media, Lajçak ka thënë se dy vendet nuk kanë rrugë tjetër, përveç dialogut.

“Ky ishte takimi i parë me Albin Kurtin, si kryeministër i Kosovës dhe nuk ishte takim i lehtë. Por, është e rëndësishme që ndodhi. Te dy liderët, patën një qasje mjaft të hapur në atë se çka duan nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët të dinë se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ata te dy u dakorduan që të punojnë në normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, nëpërmes dialogut. Procesi i dialogut do të vazhdojë para përfundimit të korrikut. Bashkimi Evropian, ashtu si qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë, kanë pritje të larta nga dy liderët, të tejkalojnë pengesat e të kaluarës dhe të ndihmojnë Kosovën dhe Serbinë në të ardhmen e tyre evropiane, duke qenë në gjendje të normalizojnë raportet mes tyre në mënyrë gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar Lajçak.

Se takimi i sotëm nuk ishte i lehtë e pranuan edhe Kurti dhe Vuçiq.

Pas takimit, Kurti shpalosi katër propozimet e tij në takimin e sotëm.

Ndërsa, Vuçiq deklaroi se Kurti e pyeti se kur do ta njoh Kosovën, dhe se përgjigja e tij ishte “kurrë”.

Se nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut, e tha edhe përfaqësuesi i BE-së për Politika të Jashtme, Joseph Borrell, i cili tha se nuk duhet të ketë vonesa në këtë proces.

Sot u paralajmërua që takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit, me ndërmjetësim të BE-së, mund të ndodh më 25 korrik.

LEXO EDHE:

Back to top button