Ligjet me yll të BE-së, reagon opozita: Ligjet, asnjë pikë të përbashkët me BE-në

Ligjet me yll të BE-së, reagon opozita: Ligjet, asnjë pikë të përbashkët me BE-në

Gazetare: Fatlume Derivishi

Dorëzimi i ligjeve që lidhen me ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D me yll të BE-së në Kuvend i jep fund bllokimit të këtyre nismave nga ana e VMRO-DPMNE-së e cila vazhdon t’i konsiderojë ata të dëmshëm. Procedura e nismave me yll të BE-së kufizon kohën e debatit në komisionin parlamentar në vetëm 2 ditë, pavarësisht numrit të amendamenteve të dorëzuara. Opozita vlerëson se marrëveshja me realizuesin Behtel-Enka parashikon penale prej qindra miliona eurove dhe realizim të projektit pa respektuar procedurat e zakonshme.

“Për fat të keq nuk është hera e parë që qeveria e drejtuar nga BDI-ja në koalicion me LSDM-në të bëjë precedentë të këtilla dhe ligjet të cilat nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me BE-në t’i propozojnë me yll të BE-së. Në këtë drejtim ne këtu i kemi duart e lidhura, ne do të bëjmë gjithçka mundemi, do t’i shfrytëzojmë ata dy ditë për debat për t’i argumentuar arsyet se pse nuk i mbështesim këto ndryshime ligjore sepse ata janë vërtetë në dëm të qytetarëve megjithatë për fat të keq keni të drejtë kur thoni se këto ligje zakonisht miratohen”, tha Velika Stojkova Serafimovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Shumica parlamentare mirëpriti nismat e qeverisë duke thënë se në këtë mënyrë do të shkurtohet koha e realizimit dhe do të shpenzohet më pak në ndërtimin e autostradave.

“Të gjithë ndryshimet e propozuara janë në përputhje me Kushtetutën dhe me miratimin e tyre do të kursehen 150 milion euro dhe dy vite ndërtim. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së është të bllokohet ky proces. Intriga që bëhet kundër këtij projekti nacional infrastrukturor me rëndësi nacionale për shtetin është që ta bllokojnë dhe të mos realizohet”, u shpreh Mile Talevski, deputet i LSDM-së.

“Sigurisht se ne mirëpresim një vendim të tillë të qeverisë duke pasur parasysh se Korridori 8 është edhe në hartën pan-evropiane të korridoreve dhe se momentin që do të dorëzohen në Kuvend do të njoftohemi me përmbajtjen por megjithatë nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në tekstin e ligjeve”, theksoi Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Një grup deputetësh, kryesisht nga BDI-ja, kishin dorëzuar tre javë më parë gjithsej tetë nisma ligjore me të cilat planifikonin shkurtim të procedurave administrative për ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D. Deri tani vetëm njëra prej tyre ka kaluar filtrin në komision kurse të tjera janë bllokuar në procedurë. Duke u vendosur yll të BE-së qeveria synon realizimin e ndryshimeve ligjore të planifikuara. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button