Ligji për përfaqësim para deputetëve pas një kohe të gjatë premtimesh, “kualifikimi kriter parësor kurse etnia mund të jetë kriter dytësor”
Gazetare: Fatlume Dervishi
Përgatitja profesionale, përvoja dhe aftësia do të jetë kritere parësore gjatë punësimit dhe avancimit në vendin e punës. Kështu potencon qartë propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i dorëzuar ditë më parë në Kuvend. Aty sqarohet se përkatësia ndaj një bashkësie të caktuar mundet të merret parasysh vetëm si faktor plotësues edhe atë vetëm në rastin kur kandidatët në konkursin e punës kanë kualifikime të njëjta.
“Vëmendje e veçantë i kushtohet përmirësimit të përfaqësimit të qytetarëve që u përkasin bashkësive të nën-përfaqësuara në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera të sektorit publik, ku kualifikimet, ekspertiza dhe kompetenca janëkriteri kryesor, dhe përkatësia në një bashkësi të nën-përfaqësuar mund të merret parasysh vetëm si kriter dytësor, në rastin e kualifikimeve dhe kompetencës së barabartë të kandidatëve”, parashikon Neni 8, Paragrafi 3.
Propozimi që tashmë është në duart e deputetëve parashikon që favorizimi në bazë etnike nuk do të konsiderohet diskriminim vetëm në një rast. Pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias, këto janë disa nga ndryshimet që ka pësuar në krahasim me versionin draft që kishte siguruar Alsat.
“Neni 7, Paragrafi 4
Trajtimi diferencial me qëllim arritjen dhe promovimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve të nën-përfaqësuara me qëllim sigurimin e barazisë efektive nuk do të konsiderohet diskriminim.
Neni 7, Paragrafi 5
Trajtimi diferencial do të zbatohet midis kandidatëve me të njëjtat kualifikime, përvojë dhe aftësi profesionale me qëllim sigurimin e barazisë efektive, pa shkelur parimin e kompetencës.”
Këto dispozita praktikisht heqin mundësinë e konkurseve publike të punësimit që përcaktojnë paraprakisht përkatësinë etnike të personit të duhet të punësohet.
Propozimi parashikon që secili qytetar ka të drejtë të shprehet lirshëm për përkatësinë e tij. Shprehja është e vullnetshme, kurse qytetari ka të drejtë të mos deklarohet. Shprehja e lirë mund të kushtëzohet me kritere objektive për t’u shmangur keqpërdorimi i deklarimit arbitrar. Ajo do të vërtetohet me dokumentet personale, gjegjësisht emrit personal në letërnjoftim ose në pasaportën e kandidatit. Në rast të keqpërdorimit, qytetarit i ndalohet e drejta e paraqitjes në konkurs për tre muaj.
Për ndjekjen e situatës me avancimin dhe përfaqësimin e drejtë do të formohet Trupi koordinues i qeverisë i cili do të funksionojë në bashkëpunim me Agjencinë e administratës kurse do të drejtohet nga zv.kryeministër i qeverisë.
Agjencia e administratës sjell Metodologjinë e punësimit në koordinim me trupin koordinues, kurse ajo do të jetë e detyrueshme të merret parasysh nga institucionet kur të planifikojnë punësimet e reja.
Nëse vërtetohet mbipërfaqësim i ndonjë bashkësie, trupi koordinues propozon masa të arsyeshme për rishpërndarjen e punësimeve të reja por mbipërfaqësimi nuk mund të jetë arsye që dikush të pushohet nga puna.
Në institucionet ku është arritur ose tejkaluar përfaqësimi i drejtë nuk mund të planifikohen punësime të reja mbi parimin e përfaqësimit kurse përgatitje profesionale dhe kualifikimi mbeten kritere primare për punësimet e ardhshme.
Ligji parashikon ngritjen e vetëdijes publike për zhvillimin profesional mbi parimin e përfaqësimit të drejtë.
Por, në asnjë nen të tij nuk parashikohen gjoba dhe as masa ndëshkuese ndaj drejtuesve të institucioneve, drejtuesve të sektorëve, Agjencisë së Administratës dhe Trupit koordinues në rast të moszbatimit të tij ose në rast se nuk arrihet avancimi i përfaqësimit të drejtë në rastet ku ai mungon.
Ky propozim paralajmërohet që kur Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024 kishte shfuqizuar mekanizmin e njohur si “balancuesi”. Që atëherë, të gjithë përfaqësuesit shqiptar në qeveri kishin përsëritur frazën e njohur që premtonte se “ligji do të miratohet së shpejti”.








