Mesazhet e profesorit që hoqi kollaren dhe grisi certifikatën e provimit të jurisprudencës në transmetim direkt
Gazetar: Suad Bajrami
Profesori universitar Bashkim Selmani në intervistën për Alsat, në shenjë revolte dhe proteste hoqi kollaren duke dërguar mesazh se derisa studentët nuk e realizojnë të drejtën e tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës, nuk e meriton asnjë intelektual të mbajë kollare.
“Në shenjë proteste apeloj që të gjithë intelektualët, të nderuarit të heqim kollaret sepse ne nuk e meritojmë për këtë komb sepse nuk ia arritëm qëllimit, sepse fëmijët tanë nga momenti që dolëm në rrugë nuk kemi për çfarë të mburremi…. Asnjëherë më nuk do të kem pjesë e kollares dhe shpresoj se këto do të jenë dy segmente që asnjë intelektual dhe asnjë shqiptar nuk do të ketë element të mburret me të drejtat kombëtare. Përderisa ne trajtohemi pakicë, përderisa ne nuk jemi pjesë e sovranit, nuk përmban asnjë element për t’u mburr që jetojmë në këtë shtet”, tha profesori Selmani.
Profesor Selamani në transmetim direkt, gjithashtu e grisi edhe certifikatën e provimit të jurisprudencës, pasi 20 vite kishte sakrifikuar, por nuk kishte arritur të bëhej prokuror e gjykatës, për shkak se kuadrot janë zgjedhur nëpërmjet partisë.
“Meqë nuk u zgjodha prokuror, nuk u zgjodha gjyqtar sepse subjektet politike kanë akredituar diplomë, diploma e cila është më e fuqishme aq sa ka miq në subjekte politike të caktuara. Prandaj ky dokument do të jetë në bazë revoltës time personale që nuk e kam shfrytëzuar dhe nuk do ta shfrytëzoj asnjëherë dhe nuk do të kem nevojë asnjëherë për këtë dituri sepse në Maqedoni nuk vlen dituria, por vlen injoranca. Prandaj studentët i thonë ndaj injorancës. Po e grisni vërtetimin? Po nuk e kam shfrytëzuar 20 vite dhe nuk do ta shfrytëzoj asnjëherë sepse gjithmonë kur kam konkurruar kam qenë i fundit… Kjo do të thotë se në Maqedoni edhe sado që të keni dituri, vlen miqësia, vlen subjekti, vlen afërsia me njerëzit dhe prandaj shqiptarët, nuk ikin nga varfëria, por ikin nga mosrespektimit të unit”, shtoi profesor Selmani.
Selmani apeloi që subjektet politike të unifikohen dhe të zgjidhin çështjen e provimit të jurisprudencës menjëherë, ndërsa studentëve t’u mundësohet punësim pa përkatësi partiake, në rrethana kur të rinjtë largohen nga vendi.








