Liria e Mediave / LSDM: VMRO-ja u rikthehet metodave të vjetra, ndjell trysni dhe frikë
Liria e Mediave / LSDM: VMRO-ja u rikthehet metodave të vjetra, ndjell trysni dhe frikë

Gazetar: Suad Bajrami
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e vlerëson real dhe të balancuar raportin e Reporterëve pa Kufij, sipas të cilit vendi ka shënuar regres prej gjashtë vendesh në lirinë e mediave. Sipas SHGM-së, ekzistojnë sfida ekzistuese dhe nevojë për reforma thelbësore.
“Kjo paraqet sinjal të qartë për institucionet se nevojitet reforma të domosdoshme urgjente dhe të koordinuara për forcimin e sektorit mediatik dhe përmirësimit të veprimit të gazetarëve. SHGM mbetet e përkushtuar në reformat që ta avancojnë lirinë e shprehjes, të përmirësohen kushtet e punës së gazetarëve dhe rritjen e besimit ndaj mediave në opinion”, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.
Gjetjet e raportit, u bënë shkas për përplasjen e pushtetit dhe opozitës. Sipas LSDM-së, shkak për regresin në lirinë e mediave është ardhja e VMRO-DPMNE-së në pushtet, pasi mediat janë në shënjestër të trysnive.
“Qeveria e udhëhequr nga DPMNE kthehet në metodat e vjetra të kontrollit, trysnisë dhe frikës. Gjithmonë kur VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e mediave ngufatet, gazetarët vendosen nën trysni, ndërsa hapësira mediatike mbyllet”, thonë nga LSDM.
Megjithatë, VMRO-DPMNE-ja vlerëson se shkaku i regresit janë siç thonë ata, dezinformatat e LSDM-së opozitare.
“Rënia në Indeksin e Reporterëve pa Kufij është kryesisht për shpërndarjen e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave. Fabrika kryesore për lajme të rrejshme dhe dezinformata, në mungesë të politikave konstruktive janë LSDM dhe Venko Filipçe”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ndaj raportit, ka reaguar edhe BDI-ja duke vlerësuar se i njëjti përbën tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike.
“Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij në lidhje me lirinë e mediave, Maqedonia e Veriut prej vendit të 36-të, është radhitur në vendin e 42-të nga gjithsej 180 shtete. /Alsat.mk