LSDM-ja i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë për përshpejtimin e procedurave për ekstradimin e Gruevski
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pas paralajmërimeve të mandatarit të ardhshëm të Hungarisë Peter Magjar për depërtimin e ish kryeministrit azilant Nikolla Gruevski, vazhduan përplasjet politike te ne. LSDM-ja opozitare kërkon urgjentisht nga Qeveria që të vazhdojë procedurat për kthimin e Gruevskit dhe përballjen e tij me drejtësinë.
Pas deklaratës së kryeministrit të ardhshëm të Hungarisë, Peter Magjar se Hungaria nuk do të jetë më bazë e kriminelëve të arratisur, dua t’i dërgoj mesazh të drejtpërdrejtë Ministrisë së Drejtësisë, pa zvarritje dhe menjëherë të kërkojë kthimin e Gruevskit aty ku e ka kryer krimin, e ajo është në Maqedoni. E vërteta është e hidhur, apo jo Nikolla, edhe pse vonon, ajo gjithnjë në fund del në sipërfaqe”, deklaroi Andrej Zhernovski – LSDM.
LSDM-ja madje theksoi se ka ndjenjën se kryeministrit Mickoski frika i ka hyrë në palcë. Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur nga gazetarët nuk komentoi në mënyrë të drejtpërdrejt rastin “Gruevski”, por pyeti opozitën se përse nuk kërkon që edhe ish zyrtari i LSDM-së Vasko Kovaçevski, të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. Madje ai theksoi se ndjenë se zyrtarë të lartë të pushtetit të kaluar do të përfshihen në përndjekje.
“Opozita ende nuk e mësoi mësimin dhe ende jetojnë në botën e tyre paralele por nuk mund të dëgjoni prej tyre që t’i bëjnë thirrje Vasko Kovaçevskit që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. Pres nga kjo opozitë të jetë dhe të sillet kështu në mënyrë kritike kur së shpejti, kam ndjenjën se funksionarë të lartë nga pushteti i kaluar i LSDM-së, ish kryeministra dhe të afërm të tyre të familjes do të përfshihen në përndjekje”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Menjëherë pasi fitoi zgjedhjet e së dielës kryeministri i ardhshëm hungarez në një konferencë shtypi, i pyetur nga gazetarët për dy ish ministra polakë, të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re e Polonisë, ndërsa gjetën strehim dhe morën azil në Hungari, tha se ata, përfshi dhe Nikolla Gruevskin nuk do të qëndrojnë gjatë në Hungari. „Hungaria nuk do të bëhet bazë për kriminelë të kërkuar ndërkombëtar. Kjo vlen jo vetëm për ish ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Në fund të fundit ai është ish kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe kriminel i kërkuar”, u shpreh Magjar./Alsat.mk.








