LSDM-ja nuk pranon kërkesën për takim liderësh

LSDM nuk pranon të ketë takim liderësh për çështjet kontestuese me Bullgarinë. Reagimi i Socialdemokratëve erdhi një ditë pasi kreu i opozitës maqedonase të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski bëri thirrje për t’u ulur në tryezë liderët e partive parlamentare për të unifikuar qëndrimet kundrejt mosmarrëveshjeve me fqinjin lindor. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska tregoi qëndrimin e partisë se çështjet e hapura me Bullgarinë duhet të shqyrtohen vetëm në nivel të komisioneve ndërshtetërore, të cilat edhe janë duke funksionuar aktualisht.

 “Hristijan Mickoski nuk do marrëveshje këtë e ka dëshmuar dhe pikërisht për këtë çështje ai nuk ka qëndrim konkret përveçse ka demonstruar sjelljen e tij destruktive në periudhën që lamë pas. Me fqinjin tonë Bullgarinë kemi marrëveshje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, e cila është nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase. Për temat që dalin nga kjo marrëveshje, shprehim vullnetin që t’i zgjidhim përmes komisioneve përgjegjëse, të cilat gjatë kësaj periudhe janë krijuar për të gjitha çështjet e hapura me Bullgarinë- deklaroi Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.

 Nga BDI-ja nuk kemi përgjigje për një takim të mundshëm liderësh për çështjen me Bullgarinë. Ndërkaq, opozita shqiptare kërkon të kyçet në çdo proces që ndërlidhet me rrugën euro-atlantike. Nga Koalicioni ASH-Aleternativa thonë se do të ulen në tryezë të liderëve, por me një kusht.

 “ Vlerësojmë se kjo çështje nuk iu takon ekskluzivisht vetëm dy subjekteve politike maqedonase, por e shohim si një proces inkluziv meqë ndërlidhet me aspektin e euro-integrimeve. Nëse do të kishte një takim të tillë, ne si koalicion do ta kishim hapur edhe temën e karakterit të brendshëm, d.m.th heqjen e 20%-it dhe zëvendësimin me gjuhën shqipe sepse jemi të interesuar për të krijuar një kohezion politik të brendshëm rreth kësaj çështje- tha Flakron Bexheti, Zëdhënës i ASH-së.

Jo më larg se dje, Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane Nikolla Dimitrov ri përsëriti qëndrimin e shefit të tij Zoran Zaev se Bullgaria pritet të vërë veto ndaj fillimit të negociatave tona të pranimit me Bashkimin Evropian. Dimitrov tha që nëse kontestohet gjuha dhe identiteti maqedonas si kushte të fqinjit lindor është e mundur të mos mbahet konferenca ndërqeveritare midis Shkupit dhe Brukselit, e cila ishte paraparë për në muajin dhjetor.

Gazetar: Adnan Qaili

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button