LSDM paralajmëron interpelancë kundër Gashit: Ka shkelur rregulloren
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Sapo të rifillojë me punë Kuvendi pas pushimit veror LSDM-ja do të dorëzojë interpelancë për punën e kreut të Kuvendit, Afrim Gashi. Opozita thotë se pakënaqësitë kanë filluar më herët, por kulminuan me seancën e djeshme. Sipas LSDM-së shpesh nuk vendosen në rend dite propozim ligjet e saj ndërsa nuk thirren as komisione të cilat udhëhiqen nga shumica.
“Kuvendi nuk respektohet, e as që e kryen funksionin siç duhet. Ligjet miratohen me procedurë të shkurtuar, shkelet rregullorja dhe keqpërdoren mekanizmat e procedurales. Kemi paralajmëruar dhe do ta dorëzojmë interpelancën kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, menjëherë sapo të fillojë me punë Kuvendi. LSDM do të vazhdojë me të gjitha mekanizmat demokratike dhe parlamentare për mbrojtje të dinjitetit të Kuvendit dhe për sigurimin e përgjegjësisë të bartësve të funksioneve publike”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Javët e fundit ishin më të tensionuara në Kuvend. Në më shumë raste kishte akuza për shkelje të rregullores. Gashi akuzohet se seancat plenare nuk i thërret në kohë siç e parasheh rregullorja, por në të njëjtën ditë. Vërejtja e njëjtë ishte edhe për pakon e ligjeve për Arsim të Lartë. Duke reaguar mbi këto shkelje, një ditë më parë kreu i Kuvendit Afrim Gashi akuzoi opozitën se po keqpërdor mundësinë e proceduraleve duke marrë fjalë disa herë për të njëjtën çështje.
“Argumentimi është në tre minuta. Nuk mund të paraqiten të gjithë deputetët, të gjithë koordinatorët vazhdimisht tërë ditën ta përsëritin të njëjtin argument për shkak se e humbë kuptimin e procedurales dhe tentativa është që të bllokohet Kuvendi”, u prononcua Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Një ditë më parë në seancën për pyetje deputetësh deputetja Ilire Dauti disa herë kërkoi procedurale duke kërkuar nga kryeministri Mickoski ti përgjigjet në pyetjen e parashtruar një muaj më parë dhe bllokoi foltoren. Pikërisht për shkak se kërkoi procedurale disa herë për të njëjtën çështje, Gashi vendosi të mos i jep fjalë as Dautit por as deputetit Ziadin Sela. Kjo bëri që seanca të ndërpritet e më vonë përsëri të kërkohet edhe pauzë nga deputetët e ZNAM-it. Nga LSDM dyshojnë se gjithçka ishte e koordinuar me kryeministrin Mickoski me qëllim që të mos japë llogari para deputetëve./Alsat.mk








