Stoillkoviq mohon të ketë sulmuar Pashollin, LSDM paralajmëron interpelancë
Gazetar : Zekirija Haxhiu
BDI nuk heqë dorë nga kërkesa për Komision Anketues për zbardhjen e incidentit nga ministri Ivan Stoillkoviq i cili siç pohojnë nga opozita, ka sulmuar verbalisht dhe ofenduar deputeten Arbana Pasholli në klubin e deputetëve brenda Kuvendit. Nga BDI ende zyrtarisht nuk e kanë dorëzuar iniciativën në Kuvend por thonë se do ta bëjnë së shpejti.
“Sigurisht se do të kërkojmë komision anketues sepse incidenti nuk është i vogël. Ishte një fyerje për deputetët që kanë mandat nga qytetarët dhe për këtë arsye ne do të këmbëngulim që ky rast të zbardhet sa më shpejtë që të mos përsëritet edhe një herë”, deklaroi Bekim Rexhepi nga BDI.
Kreu i Kuvendit Afrim Gashi një ditë më parë njoftoi se nuk i ka parë dhe nuk i posedon pamjet e kamerave të sigurisë për incidentin që thotë opozita. Marrja e pamjeve thotë se është e mundur vetëm me kërkesë të organeve hetuese, qoftë MPB ose Prokuroria Publike.
Nga ana tjetër ministri Ivan Stoillkoviq refuzon çfarëdo zënke me Pashollin. Thotë se janë gjëra që po shpiken nga BDI-ja ndërsa siguron se gjatë mandatit të tij dy vjeçar, ka kryer detyrën në mënyrën sa më profesionale.
“Në gjëra të shpikura çfarë përgjigje mund të jepni. Dikush mund të shpikë se kush e di çfarë kam bërë, ashtu siç unë mund të them se ajo mua më ka ofenduar, gjë që nuk është e vërtetë. Unë as që kam biseduar me të e as që kam pasur kontakt fizik ose diçka tjetër. Si mund të demantoj diçka që fare nuk ka ndodhur? Nuk e kuptoj., deklaroi Stoillkoviq.
Në iniciativën e BDI-së janë nënshkruar edhe deputetët e LSDM-së. Por nga kjo parti nuk mjaftohen vetëm me këtë. Kreu i social demokratëve Venko Filipçe njoftoi se sapo të kthehet me punë Kuvendi, do të dorëzojnë interpelancë për Stoillkoviqin. Kërkojnë përgjegjësi për ofendimet, kërcënimet dhe dhunën nga ana e ministrit Stoillkoviq pasi u raportua se i njëjti ka ofenduar edhe deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçuleski. Ndaj këtij të fundit madje siç tha Filipçe, Stoillkoviq është nisur ta sulmojë fizikisht por është ndaluar nga deputetët e tjerë./Alsat.mk








