LSDM: Për shkak të skandalit korruptiv në bujqësi, janë vënë në rrezik fondet IPARD 3

LSDM: Për shkak të skandalit korruptiv në bujqësi, janë vënë në rrezik fondet IPARD 3

Gazetare: Ajnur Bafqari

LSDM-ja opozitare thotë se për shkak të skandalit korruptiv në bujqësi që përfundoi edhe me arrestime, janë vënë në rrezik fondet IPARD 3 dhe vendoset në pikëpyetje mbështetja financiare e BE-së që kap vlerën 128 milion euro. Deputeti dhe ish ministri i bujqësisë nga radhët e LSDM-së, Lupço Nikollovski thotë se kjo nënkupton se nuk do të ketë më thirrje të reja, nuk do të ketë as marrëveshje të reja dhe as pagesa për projektet që aktualisht po financohen. LSDM kërkon përgjegjësi.

“Pas këtij skandali, sipas informacioneve që i kemi, tashmë ka paralajmërim dhe është e mundur që Bashkimi Evropian t’i ndalojë financimet në programin IPARD 3 të Komisionit Evropian. Në rrezik janë vendosur 128 milion euro dhe i gjithë programi 7 vjeçar, para që duhej të jenë forca lëvizëse e bujqësisë tonë“, tha Lupço Nikollovski, Deputet i LSDM-së .

Por ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski thotë se diçka e tillë nuk ekziston, pra nuk ka kërcënim as për fondet IPARD dhe as për pagesat kombëtare që i ka vendi. Ai u bëri thirrje organeve kompetente që të hetojnë deri në fund, ndërsa theksoi se arrestimi i drejtorit të agjencisë është tregues se Qeveria bën luftë joselektive ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Qeveria po tregon një luftë joselektive kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Raste të tilla në të kaluarën kur ndodhnin, disi pushteti i mëparshëm përpiqej ta fsheh çdo krim. Nën presionin e opinionit ndoshta ndërmerreshin disa veprime, më shumë për sy e faqe se sa reale. I inkurajoj institucionet kompetente ta hetojnë tërësisht rastin se ves vetëm në atë mënyrë mund të parandalojmë veprime të ngjashme në të ardhmen”, u shpreh Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë .

Ditë më parë policia arrestoi drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi, Ilija Stoilev, i cili, duke menduar se do të merrte shpërblim prej 50.000 eurosh, i ka ndarë ndihmë financiare nga programi IPARD një aplikuesi, edhe pse kompania nuk i plotësonte kushtet. Në bashkëpunim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, policia ka arrestuar edhe katër persona të tjerë të përfshirë në rast, të cilët, si ndërmjetës, kanë ndikuar te drejtori që t’i ndajë fondet pikërisht kompanisë së të dyshuarit kryesor. Katër të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit 30 ditor, ndërsa për të dyshuarën e pestë është caktuar arrest shtëpiak./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button