Gazetare: Ajnur Bafqari
Maqedonia e Veriut ka shumë probleme në luftën kundër korrupsionit, ndërsa në përgjithësi të gjitha institucionet përballen me mosbesim, ndër të tjera edhe për shkak të numrit të madh të skandaleve.
Kështu deklaroi numri një i Transparency International, Bllagoja Pandovski, duke theksuar se institucionet kryesore si gjyqësori dhe prokuroria ende nuk e bëjnë mirë punën e tyre. Ai nënvizoi se edhe në raportin e fundit të indeksit për perceptimin e korrupsionit, Maqedonia e Veriut radhitet larg vendit 50, që është garanci minimale për luftën kundër korrupsionit.
“Këtë vit jemi larg vendit të 50 që është garanci minimale për luftën kundër korrupsionit, domethënë minimum 50 pikë që garantojnë ndonjë luftë kundër korrupsionit. Në përgjithësi të gjitha institucionet ndodhen në një hipokrizi, duke nisur nga mosbesimi në gjyqësor, mosfunksionimi i institucioneve, numri i madh i skandaleve.. Jemi dëshmitarë të pasojat e frikshme të korrupsionit, rasti i fundit me diskotekën në Koçan është vetëm një prej rasteve ku tregohet se korrupsioni përskaj gjërave të tjera, mund edhe të vrasë”, tha Bllagoja Pandovski, Kryetar i Transparency International.
Kryetari i ri i Antikorrupsionit, Adem Çuçul, tha se korrupsioni mbetet një prej problemeve më të mëdha në shoqërinë tonë, ndërsa u zotua se institucioni që drejton, do të bëjë përpjekje maksimale për përforcimin e sistemit të integritetit në të gjitha institucioneve, pasi vetëm përmes institucioneve të forta mund t’i ndalohet rruga korrupsionit.
“Korrupsioni është problem që na prek të gjithë neve, bëjmë thirrje për një aksion të përbashkët për luftën kundër korrupsionit me kyçje të të gjithë aktorëve, përfshirë prokurorinë, organet tjera kompetente si, qeverinë, kuvendin, komisionin shtetëror, mediat, sektorin privat, sepse vetëm me luftë të koordinuar mund t’i ndalojmë rrugën korrupsionit”, u shpreh Adem Cucul, Kryetar i Komisionit Antikorrupsion.
Gjatë shënimit të ditës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, u tha se përskaj nënshkrimit të deklaratave ndërkombëtare apo miratimit të një numri të madh të ligjeve, Maqedonia e Veriut vetëm deklarativisht e lufton korrupsionin. / Alsat.mk








