“Lufta” Rusi-Ukrainë, nuk dihet nëse ka të përfshirë shtetas të RMV-së

Gazetar: Adrian Kerimi

“Organet e sigurisë nuk kanë një përgjigje nëse në vendin tonë ekzistojnë grupe apo individ potencial të cilët përgatiten për pjesëmarrje në konfliktin e mundshëm ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës. Nuk dihet edhe nëse ndonjë shtetas i Maqedonisë së Veriut i është bashkuar ndonjërit formacion luftarak, por në vendin tonë ndër vite frekuentojnë grupe të cilat në disa protesta kanë proklamuar bindjet e tyre pro ruse, posaçërisht para se vendi të bëhej anëtare e NATO-s”.

Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk japin informacion nëse të dhënat operative ngritin pista dyshime për grupe apo mercenarë nga Maqedonia e Veriut të cilët kanë marrë rrugën për Rusi-Ukrainë, ose pritet të marrin. Nga këto organe nuk bëhet e ditur nëse edhe posedojnë informacion për qeli ose qendra rekrutimi, shkruan Alsat.

Luftërat jashtë vendit, Maqedonia e Veriut i sanksionon me Kodin Penal. Pjesëmarrja në luftëra apo konflikte jashtë vendit dënohet me 3-5 vite burg.

Kodi Penal, Neni 322
“Qytetari i Maqedonisë së Veriut i cili gjatë luftës ose konfliktit të armatosur shërben në luftë armiqësore apo formacione tjera armiqësore apo merr pjesë në luftë apo konflikt të armatosur si luftëtarë kundër Maqedonisë së Veriut dhe aleatëve të saj, do të dënohet me të paktën 3 vite burg. Ai i cili rekruton qytetarë të Maqedonisë së Veriut dënohet me të paktën 5 vite burg”.

Viteve të fundit në vend janë shfaqur dhjetëra organizata dhe subjekte të cilat në protesta janë paraqitur me flamuj rus dhe kanë kërkuar Aleancë Euro-Aziatike, ndërsa në kampin politik ekzistojnë edhe parti të cilat predikojnë vëllazërim-bashkimin me Rusinë. Në burgjet e vendit dënime me burg vuajnë disa shtetas, pjesëmarrës në luftërat e Lindjes së Mesme. Aktualisht në Ukrainë raportohet se ka shtetas nga Shqipëria të cilët jetojnë dhe veprojnë në brenda territorit ukrainas, të cilët publikisht janë deklaruar si pjesë e formacioneve luftarake të Ukrainës. Nëse shtetas të tillë nga rajoni ka edhe në Rusi, nuk bëhet e ditur të paktën deri tani. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button