Macroni inaugurohet për mandatin e dytë si president i Francës, jep zotimet

Presidenti Emmanuel Macron u inaugurua për një mandat të dytë të shtunën, duke u zotuar se fillimisht do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të luftës së Rusisë në Ukrainë përpara se të vazhdojë të fokusohet në promovimin e Francës dhe Evropës në skenën botërore, raportoi AP.

Macroni u rizgjodh për pesë vjet të tjera më 24 prill në një balotazh ku e mundi rivalen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.

“Koha përpara do të jetë ajo e veprimit të vendosur për Francën dhe Evropën”, tha Macron.

Ai premtoi se “së pari do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim pas agresionit rus në Ukrainë”.

Macron premtoi gjithashtu se do të gjente një “metodë të drejtë” për të qeverisur vendin dhe për të lehtësuar tensionet sociale duke e bërë qeverinë dhe parlamentin të punojnë së bashku me sindikatat, shoqatat dhe njerëz të tjerë nga bota politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Për një president që flet me lehtësi për orë të tëra, fjalimi i Macronit ishte çuditërisht i shkurtër – dhe i shkruar me dorë. Por më pas, ai mori kohën e tij për të shtrënguar duar, për të shkëmbyer puthje në faqe dhe për të biseduar individualisht me shumë të ftuar.

Në ceremoni ishin të ftuar rreth 500 të ftuar. Ata vinin kryesisht nga bota e politikës, megjithëse përfshinin edhe aktorë, punonjës të kujdesit shëndetësor, oficerë ushtarakë dhe ish-presidentët Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy.

Me të mbërritur në sallën e pritjes në Elysee, Macron ia bëri me sy gruas së tij, Brigitte Macron.

Presidenti i Këshillit Kushtetues lexoi rezultatet e zgjedhjeve dhe Macronit iu dha gjerdani i Mjeshtrit të Madh të Legjionit të Nderit, nderi më i lartë i Francës, përpara se të mbante fjalimin e tij.

Mandati i dytë i Macronit do të fillojë zyrtarisht më 14 maj.

LEXO EDHE:

Back to top button