Makinat e braktisura që uzurpojnë hapësirat publike do të largohen nga Komuna e Çairit

Gazetar: Avni Tahiri

Rreth 200 veturave të prishura dhe të braktisura në Çair, që me vite kanë zënë hapësirat publike dhe vendparkimet, u janë vendosur paralajmërime me afat tetë ditor që pronarët t’i largojnë, në të kundërtën, të njëjtat do të largohen nga shërbimet komunale.

Sipas komunës së Çairit, nëse pas afatit të caktuar largohen nga shërbimet komunale, veturat do të përfundojnë në depo dhe pronarëve do tu jepet afat 30 ditorë që t’i tërheqin pas gjobës së paguar.

“Pronarët do të kenë afat prej 30 ditësh për të tërhequr automjetet, me pagesën e tarifave dhe gjobave të parapara sipas rregulloreve në fuqi. Nëse brenda këtij afati nuk paraqiten, automjetet do të trajtohen sipas procedurave ligjore përkatëse, përfshirë edhe largimin përfundimtar (shkatërrimin)”, deklaruan nga Komuna e Çairit.

• Pronarët kanë 30-ditë afat për t’i marrë, duke paguar tarifat dhe gjobat përkatëse.
• Nëse nuk tërhiqen brenda afatit, automjetet do të trajtohen sipas ligjit, deri në shkatërrim.

Qytetarët e përkrahin aksionin e komunës por thonë se duhet gjetur zgjidhje më efikase për vend parkimet në Çair.

“Ato që janë të vjetra duhet të largohen, por për veturat e reja, komuna duhet të rregulloje parkingjet”, tha një qytetar”, thotë një qytetar tjetër.

“Veturat që janë në trotuare, duhet të largohen pasi fëmijët këtu shkojnë në shkollë. Trotuaret janë për njerëzit e ata këtu i parkojnë vetura e pastaj ndodhin që të shkelin ndonjë fëmijë. Si e komenton aksionin e komunës? Shumë e mirë, veturat e vjetra duhet të largohen nga këtu pasi pengojnë” , u shpreh qytetari.

Përveç komunës së Çairit, vetura jo funksionale dhe që zënë hapësirat publike, ka edhe në shumë komuna tjera të Shkupit./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button