Mantelbardhët alarmojnë: Largimi i mjekëve po bëhet problem

Mantelbardhët alarmojnë: Largimi i mjekëve po bëhet problem

Gazetare: Evi Shkopi

Dita e shëndetit e gjen vendin me mijëra punonjës shëndetësorë të larguar drejt Evropës. Mungesa e kuadrit mjekësorë, veçanërisht nëpër qytetet tjera në vend, ka bërë që qytetarët shërbimet shëndetësore t’i kërkojnë kryesisht në kryeqytet, gjë që mbingarkon sistemin “Termini im”. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, tha se do të përpiqen që të gjithë punonjësit shëndetësorë pas diplomimit të mund të angazhohen në vend. Ai tha se gjatë këtyre ditëve do të gjendet zgjidhje, sipas tij e kënaqshme, për punonjësit shëndetësore që kërkuan rritje rrogë në kuadër të sindikatave.

“I shqyrtojmë mundësitë që t’i shpërndajmë, ja konkretisht kam folur gjatë gjithë kohës për terapinë kronike, që të mund të shpërndahen tek mjekët amë që pacientët të mos kenë shpenzime financiare për të ardhur deri në Shkup nga vendet tjera. Punonjësit shëndetësorë gjithmonë duhet të kenë të ardhura më të larta”, tha Fatmir Mexhiti- Ministër i Shëndetësisë.

Mjeku Goran Dimitrov, thotë se duhet të ndryshohet disa ligje që profesioni i mjekut të respektohet më shumë.

“Numri i mjekëve sa vjen e ulet. Nuk mund të them me saktësi, por shifrat tregojnë se nga 250 deri 300 mjek në vit largohen nga vendi. Pra numri i mjekëve në vend ulet, ndërkohë që ky numër duhet të rritet, sepse edukohen, kemi 3 fakultete të mjekësisë në vend, Shtip, Shkup dhe Tetovë. Ndërsa numri ulët, këtu ndikon edhe fakti që disa dalin në pension, por edhe ata që largohen”, tha Goran Dimitrov- doc.dr specialist gjinekolog.

7 Prilli njihet si dita e Shëndetit. Më 7 prill, 75 vjet më parë u themelua Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në këtë datë që shënohet në të gjithë botën shfrytëzohet rasti që të ngrihet zëri për sfidat shëndetësore në nivel lokal, rajonal, por edhe botëror. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button