Maqedonia e Veriut shënon 29-vjetorin e Pavarësisë


Në 29 vjetorin e Pavarësisë, krerët e shtetit theksojnë se me anëtarësimin në NATO, shteti ka realizuar një nga përcaktimet strategjike që nga themelimi i saj dhe se mbetet të realizohet edhe integrimi në BE. Kryeministri, Zoran Zaev pret që negociatat me BE-në të fillojnë këtë vit andaj fton të gjitha palët të kontribuojnë për evropianizimin e vendit. Me porosi të njëjtë edhe Presidenti, Stevo Pendarovski.

“Pavarësia dhe vetmia nuk shkojnë së bashku. Sot në festimin e 29 vjetorit të pavarësisë sonë, atdheu ynë ka më së shumti miq dhe falë saj, këtë vit kokë-lartë, të lirë dhe të hapur ndaj botës e festojmë pavarësinë- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

“Duke e filluar vitin e 30-të të pavarësisë sonë, pres që ju, qytetarët të qëndroni të zëshëm dhe vazhdimisht të kërkoni nga ne, politikanët përgjegjësi sepse ne jemi të obliguar të punojmë në interesin tuaj. Është obligim i përbashkët që vitet e ardhshme të jetojmë shumë më mirë se sa deri tani- pohoi Stevo Pendarovski.

Por kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski vlerëson se vendi shënon 29 vjet të sprovave dhe rënieve, me institucione të dobëta, krim e korrupsion të lartë dhe popull të varfër. Ai thekson nevojën për kthesë, që do ta ndryshonte jetën e qytetarëve.

“Pas 29 vitesh flasim për të njëjtat qëllime si në kohën kur u krijua shteti. Bashkimi Evropian, ekonomi e fuqishme, siguri etj. Kjo tregon se këto janë vlerat e vërteta drejt të cilave jemi orientuar, por fakti se nuk i kemi përmbushur deri tani tregon se Qeveritë nuk kanë pasur sukses në misionin e tyre- Hristijan Mickoski, VMRO DPMNE.

Çmimi tradicional “8 Shtatori” këtë vit iu nda sportistëve: Lulzim Vrenezi, Sokrat Eftimovski, Besnik Murati, Vanço Jovanovski dhe Gjorgji Vuçkov. Ndryshe, Maqedonia u shkëput paqësisht nga Ish Federata Jugosllave më 8 shtator të vitit 1991. Monetarisht u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1992, ndërsa më 18 gusht formoi ushtrinë. Subjektiviteti ndërkombëtar u konfirmua me anëtarësimin e vendit në OKB më 8 prill të vitit 1993, me referencën e përkohshme si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kontesti me Greqinë rreth emrit mbajti pezull anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Me arritjen e Marrëveshjes së Prespës më 17 qershor të vitit 2017 vendi ndryshoi emrin kushtetues në “Maqedonia e Veriut”, pas çka në mars të këtij viti u bë anëtarja e 30-të e NATOs, ndërsa pret të fillojë zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button