Maqedonia në pritje të përgjigjes në kërkesën për anëtarësim në nismën “Tre detet”

Maqedonia në pritje të përgjigjes në kërkesën për anëtarësim në nismën "Tre detet"

Gazetar: Lluka Andreev

Maqedonia kërkoi t’i bashkohet nismës “Tre detet”, shkruan Alsat.

Shkupi mori mbështetje parimore mbi idenë për t’u bërë pjesë e familjes së vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, por për momentin nuk ka përgjigje konkrete për kërkesën tonë.

Autoritetet vendase kërkuan anëtarësimin për herë të parë vitin e kaluar, gjatë kryesimit bullgar të nismës ndërsa interesimi u rikonfirmua gjatë vizitës në prill në Shkup të presidentit letonez Elgis Levits, vendi i të cilit është kryesues aktual.

“Interesi i Maqedonisë së Veriut ka karakter gjeostrategjik, për shkak të anëtarësimit të saj në NATO dhe synimit strategjik për anëtarësim të plotë në BE, duke qenë se në nismë përfshihen vendet që i përkasin Aleancës euro-atlantike dhe partneriteteve. Përveç kësaj, nisma promovon bashkëpunimin, kryesisht në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës, çështjeve të energjisë, transportit si dhe është e fokusuar në investime të reja”, thonë nga MPJ.

Anëtarësimi i Maqedonisë në “Tre detet” u theksua në takimin e parë të dialogut strategjik ndërmjet Shkupit dhe Uashingtonit, i cili u mbajt në fillim të qershorit.

“Në deklaratën e përbashkët që pasoi pas mbajtjes së dialogut strategjik të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara në Uashington, u theksua mbështetja e SHBA-së për synimin e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e nismës “Tre Detet””, u shprehën nga MPJ.

Nisma u iniciua në vitin 2015 nga presidenti polak Andzhej Duda dhe përfshin 12 shtete anëtare nga Baltiku, Adriatiku dhe Deti i Zi.

Projektet më të mëdha përfshijnë lidhjen e infrastrukturës nga Lituania në Greqi si dhe pavarësinë energjetike përmes një rrjeti të gazit të lëngshëm natyror në të gjitha vendet anëtare, me terminale detare në Poloni dhe Kroaci.

Projektet infrastrukturore të “Tre Deteve” llogariten në rreth 100 miliardë euro dhe mbështetje financiare është paralajmëruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button