Marrëveshja me TAV-in, 39 milionë euro për komunat

Zëvendës kryeministri i parë Artan Grubi u lëvdua se Qeveria komunave u ka dhënë shtysë financiare për projekte infrastrukturore. Bëhet fjalë për 39 milionë euro, fonde nga koncesionuesi i aeroporteve TAV, që fillimisht parashiheshin për ndërtimin e aeroportit kargo në Shtip. Por, i njëjti nuk do të ndërtohet, kështu që, Qeveria dhe TAV u morën vesh që fondet e planifikuara të ndahen për realizimin e projekteve lokale infrastrukturore. Në seancë të Qeverisë janë miratuar projekte për 36 komuna.

Sot edhe zyrtarisht qeveria miratoi grupin e dytë të projekteve nga shpërndarja e fondeve të koncesionerit TAV me qëllim të realizimit të projekteve infrastrukturore të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë – tha Artan Grubi- zv/ kryeministër.

Ndërsa komunat i presin këto para, vazhdojnë të grumbullojnë borxhe gjatë realizimit të buxheteve të tyre. Borxhi i komunave në tre muajt e parë të vitit arriti në 62 milionë euro. Vetëm për një vit gjatë kohës së pandemisë kur pjesa më e madhe e administratës nuk punonte dhe nuk u realizuan projekte, borxhi i përgjithshëm u rrit për 8 milionë euro. Sipas sektorit civil, kryetarët e komunave do vazhdojnë të bëjnë qejfe derisa këtë t’ua lejojë Qeveria.

Ne në nivel lokal të kemi debat për prioritetet, për çka kemi nevojë e për çka jo dhe të obligohen komunat për diçka që vërtetë është e rëndësishme. Por te ne ka një parim faraonik ku kryetari i komunës merr borxhe për atë që dëshiron ai vetë dhe që mendon se do t’i ndihmojë ta fitojë edhe një mandat – u shpreh Aleksandar Cvetkovski, OJQ AGTIS.

Komunat me më shumë borxhe janë Tetova, Ohri, Karposhi, Gostivari, Dellçeva dhe Struga. Para vetëm tre viteve, Qeveria vendosi nga arka e shtetit të ndajë 50 milionë euro për shlyerjen e borxheve të komunave që në atë kohë borxhi ishte 100 milionë euro. Komunat gjithashtu morën edhe 70 milionë euro të tjera që shteti i huazoi nga Banka Botërore për rregullimin e rrugëve dhe rrugicave. Dhe e fundit, me ligj Qeveria vendosi t’ua falë kamatat e borxheve që komunat i kanë ndaj ndërmarrjeve publike.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button