Masat para 4 shkurtit dhe zhvillimet në sofje

Gazetar: Luka Andreev

Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, vlerëson se shënimi i ditëlindjes së Goce Dellçevit do të kalojë në mënyrë paqësore, ndonëse, siç shtoi ai, me grupet radikale nuk dihet se a mund të ketë dëme në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Sipas tij, takimi i ministrit Oliver Spasovski me kolegun e tij bullgar, Ivan Demerxhiev, ka pasur dobi të madhe për shënimin paqësor të shtunën para kishës Shën Spasi.

“Tani shohim që atmosfera nuk është aq e nxehtë sa ishte dhjetë ditë më parë, prandaj pres që çdo gjë të shkojë mirë dhe të jetë e qetë. Nuk do të thotë që nuk do të ketë thirrje, nuk do të thotë se nuk do të ketë simbole që nuk janë simbole zyrtare të dy vendeve, nuk do të thotë se nuk do të ketë provokime, sepse grupet dhe individët radikalë kanë gjithmonë interesa në prapavijë”, tha Nikolla Dujovski – profesor universitar.

Dujovski pret që sistemi i sigurisë të përballet me sfidën pa pengesa serioze. Përkujtimi, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, u vlerësua si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë, sepse të djathtët bullgarë njfotuan praninë e tyre, ndërsa të ashtuquajturit Instituti Patriotik i VMRO-DPMNE-së njoftoi se do të bëjë roje. Sipas Dujovskit, kjo situatë “nuk është asgjë e pazakontë në punën e shërbimeve të sigurisë”.

“Do të bëj një paralele me ndeshjet e futbollit. Kur kemi ndeshje të mëdha futbolli, vendoset nëse ndeshja është me rrezikshmëri të lartë apo jo dhe në varësi të vlerësimit bëhet edhe një plan sigurie. Me atë rast, grupet e tifozëve ndiqen nga vendi ku do të shkojnë në stadium. Gjatë ndeshjes, stadiumi sigurohet brenda, por edhe jashtë dhe grupet e tifozëve sigurohen deri në largimin e tyre”, u shpreh Nikolla Dujovski – profesor universitar.

Në ditën e shënimit do të marrin pjesë presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa paralajmëroi se lule do të vendosë edhe lideri i opozitës, Hristijan Mickoski. Deri më tani nga Sofja nuk ka asnjë njoftim për praninë e ndonjë delegacioni zyrtar shtetëror në Shkup. Më herët, eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski kishte paralajmëruar se do të vijë, por siç tha ministri Spasovski, më 4 shkurt do të vendoset nëse do t’i miratohet hyrja në vend. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button