Masat për trotinetët shpërfillen, qytetarët kërkojnë më shumë kontrolle
Gazetar: Avni Tahir
Përdoruesit e trotineteve elektrikë nuk duhet të jenë nën moshën 18 vjeçare. Shpejtësia maksimale e lëvizjes nuk duhet të kalojë mbi 20 kilometra në orë, ndërsa drejtuesit duhet të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe kushtet e përcaktuara me ligj për qarkullim të sigurt.
Por sa respektohet ligji në terren dhe a i’u përshtatën rregullave përdoruesit e trotineteve?!
Disa qytetarë thonë se ligji është i mirë por rrugët duhet të jenë të përshtatshme për përdoruesit e trotineteve e disa tjerë mendojnë se duhet të ndalohet tërësisht përdorimi ashtu siç kanë bërë disa shtete evropiane.
“Shumë shpejtë ngasin, 50-60 në orë. Ja na kaloi një! Ja shikoje si shkoi, nuk shohin aspak, shumë e vështirë”, tha një qytetar.
“Sipas kushteve të rrugës është shumë e vështirë pasi ja pikërisht këtu në këtë stacion e ndërpret rrugën e trotineteve. Sigurisht që përdoruesi i trotineteve duhet të mbush moshën e duhur dhe do të duhet të ketë edhe regjistrim trotineti pasi dalin edhe në rrugë por kjo gjë është shumë e vështirë që të rregullohet”, tha një qytetar tjetër.
“Me të drejtë e kanë sjellë ligjin, duhet të ndalohen fëmijët të mos ngasin më pasi nuk njohin as shenja e as komunikacion”, u shpreh qytetari.
“Ende vozisin, por duhet të ketë më shumë kontrolle nepër lagje”, thotë qytetari.
Pavarësisht rregullave të përcaktuara me ligj, respektimi i tyre në terren mbetet sfidë. Përdorimi i trotineteve nga persona nën moshën e lejuar, tejkalimi i shpejtësisë dhe mungesa e pajisjeve të nevojshme vazhdojnë të jenë shqetësim për qytetarët.
Përdoruesit që nuk respektojnë rregullat sipas ligjit, do të përballen me gjoba, ndërsa për shkeljet më të rënda krahas dënimit në para, mund të pasojë edhe marrja e trotinetit.alsat.mk/.








