Matura shtetërore: 14.500 nxënës i nënshtrohen testimit

Gazetare: Melihate Rustemi

14.587 maturantë sot iu nënshtruan provimit të parë të maturës shtetërore. Vlerësimet nga Ministria e Arsimit thonë se organizimi i maturës u realizua sipas planit në të gjitha qendrat e testimit. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se mbi 12 mijë maturantë janë paraqitur për maturën shtetërore të përgjithshme, ndërsa më shumë se 2 mijë për maturën profesionale. Një numër më i vogël kandidatësh i janë nënshtruar maturës artistike. Sipas Janevskës, rezultatet e maturës nuk janë të rëndësishme vetëm për vazhdimin e studimeve universitare, por edhe për hyrjen në tregun e punës.

“Pres që edhe më 11 dhe 12 qershor, kur nxënësit do të japin provimin e gjuhës amtare, gjithçka të kalojë po aq qetë dhe me sukses. Nxënësve u uroj ta kalojnë me sukses maturën, të marrin notën që meritojnë dhe shpresoj që një pjesë e tyre të vazhdojnë arsimin në fakultetet përkatëse, ndërsa një pjesë të hyjnë në tregun e punës”. – Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Nga Qendra Shtetërore e Provimeve kujtuan se këtë vit për herë të parë nxënësit kanë pasur mundësinë të zgjedhin mes tre llojeve të maturës shtetërore: të përgjithshme, profesionale dhe artistike. Testimet u zhvilluan jo vetëm në shkolla, por edhe në amfiteatrot e fakulteteve të caktuara, ku për çdo 15 nxënës është angazhuar një testues.

“Përvoja e vitit të kaluar tregoi se zhvillimi i provimeve në hapësira të mëdha jep rezultate, kështu që mënyra e organizimit në ambiente ku ka një numër më të madh nxënësish, ndryshe nga e kaluara kur kishte vetëm 15 nxënës në një klasë, rezultoi e suksesshme. Nuk kemi raste të kopjimit, komunikimit mes nxënësve apo përdorimit të telefonave gjatë provimeve”. – Daniella Jovçevska Mihajllovska, QSHP.

Maturantët sot u testuan në lëndët që paraprakisht kanë zgjedhur siç janë: gjuhë të huaja, matematikë dhe histori, varësisht arsimit të mesëm që përfundojnë. Për realizimin e plotë të procesit të testimit janë angazhuar rreth 2.500 testues në të gjithë vendin. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button