Maturantët optimistë – testi i parë pa vështirësi të mëdha

Gazetare: Melihate Rustemi

Pas përfundimit të provimit të parë të maturës shtetërore, shumë prej maturantëve u shprehën të kënaqur për mënyrën e realizimit. Ata vlerësuan se pyetjet nuk ishin shumë të vështira dhe se kishin arritur t’i përgjigjen pothuajse të gjitha kërkesave të testit. Disa prej tyre madje thanë se presin rezultate të shkëlqyeshme.

“Gjithçka kaloi mirë. Çfarë rezultate pret nga ky provim? Pres rezultate të shkëlqyeshme. Po, më tutje, ku do të vazhdosh? Do të vazhdoj për drejtësi në universitet,” tha një maturante.

“Ishte i lehtë testi, nuk ishte shumë i rëndë, kaluam shumë mirë. I plotësove të gjitha pyetjet? I plotësova, jam shumë i sigurt që i kam plotësuar të gjitha dhe besoj që do të jenë rezultatet shumë të mira,” u shpreh një maturant.

“Unë e zgjodha lëndën e gjuhës angleze. Testi ka qenë mjaft i lehtë, e kam plotësuar të gjithin. Shpresoj të dalim me rezultate të mira,” tha një tjetër maturant.

Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, provimit të parë të maturës shtetërore iu nënshtruan 370 nxënës dhe 35 nxënës me korrespodencë. Drejtori,  Arben Memeti tha se procesi i testimit u zhvillua pa probleme. Për dallim të viteve të kaluara, Memeti tha se këtë vit asnjë maturant nuk kishte zgjedhur lëndën e matematikës, të gjithë maturantët kishin zgjedhur gjuhën angleze si lëndë zgjedhore për provimin e parë.

“Janë testuar gjithsej 370 nxënës, 35 kanë qenë me korrespodencë. Gjithçka filloi në kohën e duhur, vërejtje nuk kishte nga ana e nxënësve gjatë testimit, nxënësit kanë qenë të përgatitur. Është interesante se këtë herë askush nuk është paraqitur në matematikë ose gjuhë tjetër? Kësaj radhe të gjithë nxënësit kanë paraqitur gjuhën angleze, në matematikë nuk kishte asnjë,” deklaroi Arben Memeti, drejtor I gjimnazit “Zef Lush Marku”.

Provimi i dytë i maturës shtetërore do të mbahet më 11 qershor, kur maturantët e gjimnazeve do të testohen në lëndën e gjuhës amtare dhe letërsisë. Për drejtimet profesionale dhe ato të artit provimi i dytë në gjuhë amtare mbahet më 12 qershor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button