Mbi 37 mijë viktima nga tërmetet në Turqi e Siri, dy vëllezër nxirren të gjallë 9 ditë pas tërmetit

Mbi 37 mijë viktima nga tërmetet në Turqi e Siri, dy vëllezër nxirren të gjallë 9 ditë pas tërmetit

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Dy vëllezër janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e tërmetit në Kahramanmars pas 198 orëve.
Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të shpëtonin, Muhammed Enes Yeninar 17-vjeç dhe vëllain e tij më të madh Baki Yeninar 21-vjeç. Të dy të rinjtë ndodhen në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Më shumë se 8,000 njerëz janë nxjerrë të gjallë pas tërmetit nga ekipet e kërkim-shpëtimit, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke shprehur mirënjohjen e tij për ndihmën e ofruar nga komuniteti ndërkombëtar. Ai tha se mbi 81 mijë persona të lënduar nga tërmetet kanë dalë nga spitalet.

Kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya tha se 70 shqiptarë kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit në Kahramanmaras dhe tre të tjerë janë konfirmuar në Hatay.

“Tani në Kahramanmaras 70 veta na kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre persona shqiptarë na kanë vdekur. Aty i kam pa në Facebook edhe çfarë kam dëgjuar po ju tregoj. Tani për ushqim nuk është problem, por për tu ngrohur se ftohtë është shumë”, tha Evren Kaja, Kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve.

Më shumë se 7 milionë fëmijë janë prekur nga tërmetet shkatërruese në Turqi dhe në Siri. Shifrat i bën të ditura UNICEF ndërsa vlerësohet se disa mijëra prej tyre mund të kenë humbur jetën.

Tërmeti preku 10 provinca në Turqi, ku jetojnë rreth 13.5 milionë njerëz, si dhe një zonë të madhe në Sirinë veriperëndimore, që është shtëpi e miliona njerëzve.

Më shumë se 41 mijë e 500 ndërtesa u shkatërruan ose u dëmtuan shumë, tha ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit të Turqisë. Nën ato ndërtesa ka trupa dhe numri i të zhdukurve mbetet i paqartë.

Në Turqi shumica fajësojnë ndërtimin e gabuar për shkatërrimin e madh. Turqia ka rregulla ndërtimi që plotësojnë standardet e inxhinierisë së tërmeteve, por ekspertët thonë se këto rregulla zbatohen rrallë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button