Mbingarkesa e rrymës ka dëmtuar Termaocentralin në Osllomej, duke lënë jashtë funksionit

Mbingarkesa e rrymës ka dëmtuar Termaocentralin në Osllomej, duke lënë jashtë funksionit

Gazetar: Adnan Qaili

Termocentrali në Osllomej del jashtë funksionit për prodhim të rrymës, njoftojnë autoritetet. Kjo ndodhi një ditë pasi u shkaktua defekti në Bllokun 1 të TEC Manastirit, që sipas Elektranave të Maqedonisë, mbi-ngarkesa e sistemit të amortizuar solli deri në prishjen e dy nga kapacitetet kryesore të rrymës.

Nga EMV thonë se prodhojnë rrymë vetëm me Bllokun 2 në TEC Manastir, i cili funksionon me intensitet të shtuar, në TEC Negotinë me dy kaldaja me kapacitet maksimal, termocentralin me gaz “Energetika” dhe tetë hidrocentralet në kuadër të impianteve ujore të Mavrovës, Drinit të Zi, Treskës dhe të Tikveshit.

“Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme janë plotësuar me një sasi të caktuar të energjisë elektrike të blerë, për shkak të ndërprerjeve në TEC Osllomej dhe në Bllokun 1 të TEC Manastir, të cilat priten në ditët në vijim, pas përfundimit të riparimeve që janë duke u zhvilluar, të vazhdohet sërish me prodhim të rregullt”, njoftojnë nga EMV Maqedoni.

Sipas EMV-së, prodhimi vendor aktualisht i plotëson nevojat për energji elektrike për tregun e rregulluar në amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, dhe shumicën e nevojave për furnizime shtesë pas vendimeve të posaçme të Qeverisë për mbulim të humbjeve teknike të rrymës së EVN-Shpërndarje dhe MEPSO-s, për shkollat, industrinë ushqimore, ndërmarrjet e ujësjellësit, spitalet dhe institucionet vitale qeveritare.

Në Bllokun 1, një javë më parë u kryen aktivitete riparuese, por secili nga tre blloqet ka nga një kaldajë të përbërë nga tuba rreth 700 kilometra me gjatësi, nëpër të cilat kalon avulli me nxehtësi mbi 500 gradë Celsius, gjë e cila e vështirëson riparimin, i cili sipas autoriteteve pritet të kryhet së shpejti.

“TEC Manastiri vitin e kaluar shënoi 40 vjet të funksionimit të Bllokut 1, kurse Blloku 2 dhe 3, kushtimisht e thënë, janë pak më të rinj, por janë gjitha instalimet më të vjetërsuara dhe zakonisht defektet aty po ndodhin dhe nuk shkaktohen në pjesët që kanë kaluar riparimet. Kur bëhet fjalë për një kaldajë apo një tubacion përçues të një blloku ka mbi 700km tuba, iu bëjmë rishikim dhe i kontrollojmë sa janë të trashë dhe se çfarë mund të ndodh, por në aq tubacione vetëm në një bllok, gjithmonë mund të ndodh kjo”, deklaroi Metodija Kunovski, Zëdhënës TEC Manastir,

Ngritja e temperaturave të larta nga homogjenizimi i thëngjillit vendor me atë të importuar kalorik, duke i shtuar edhe mazut për të rritur nxehtësinë ka bërë që tubat e konsumuar të shpërthejnë nga avulli.

Për shkak të prishjes së tubave të vjetërsuar në kaldaja, për dy ditë është shkëputur nga rrjeti Blloku 1 i TEC Manastir, ndërsa Blloku 2 prodhon ndërmjet 160-180 KW/h energji elektrike. Ndërsa, në Bllokun 3, akoma nuk kanë përfunduar instalimet e transformatorit të ri, dëmtimi i të cilit la jashtë funksionit me muaj të tërë. Kjo situatë imponon blerje të rrymës nga shtetet fqinje me çmime më të larta për shkak të krizës energjetike në të cilën ndodhet vendi dhe nevojës për prodhim të shtuar të energjisë elektrike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button