Mbrëmjet Strugane të Poezisë” sërish pa shqipen në materialet promovuese, drejtori arsyetohet me mungesë kohe
Gazetar: Miki Trajkovski
Gjuha shqipe nuk figuron në asnjë nga pamfletet e vendosur nëpër Strugë, me të cilët paralajmërohet fillimi dhe programi i edicionit të 65-të të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë.
Shqipja do të dëgjohet vetëm përmes poezive të tre poetëve shqiptarë. Hapja solemne do të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, ndërsa përkthimi në shqip do të shfaqet vetëm në formë të shkruar në videobim. Këtë vit, poezia “Mall për Jugun” nuk do të lexohet në gjuhën shqipe, ndërsa edhe përkthimet e librave të festivalit do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze.
“Të gjitha manifestimet që organizohen këtu, përkatësisht të gjitha institucionet kombëtare, kanë për qëllim promovimin e kulturës maqedonase. Sa i përket përdorimit të gjuhëve të bashkësive, nuk ka asnjë anashkalim apo lënie të qëllimshme jashtë. Bëhet fjalë vetëm për racionalizimin dhe shkurtimin e kohës, prandaj përkthimet e fjalimeve në fillim, gjatë ceremonisë së hapjes, do të shfaqen njëkohësisht në videobim, në gjuhën angleze dhe shqipe”, deklaroi Nikolla Kukunesh – drejtor i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë.
Ndaj shpërfilljes së shqipes në këtë festival reaguan integristët e Strugës. Thonë se bëhet fjalë për mungesë respekti ndaj shqiptarëve dhe shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Është paradoksale që një manifestim i cili promovon dialogun ndërmjet kulturave dhe popujve të ndryshëm, nuk arrin ta respektojë gjuhën e një pjese të madhe të qytetarëve të qytetit ku mbahet. Respektimi i gjuhës shqipe nuk është privilegj, por detyrim”, tha Faton Pollozhani, Kryetar i Degës së BDI-së në Strugë.
• Mosrespektimi i shqipes, paradoksale
• Respektimi i gjuhës shqipe është detyrim
Integristët kërkojnë nga Komuna të reagojë sipas të njëjtave standarde dhe të kërkojë respektimin e gjuhës shqipe në çdo aktivitet publik që mbahet në Strugë dhe financohet me mjete publike
Nga Komuna e Strugës thanë se programi dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve është çështje e organizatorëve. Nga atje nuk treguan nëse kreu i komunës do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së festivalit./Alsat.mk.








