Mbrojtje nga vërshimet dhe ndotja, nis rregullimi i “Lumit të Thatë” në Saraj

Gazetare: Melihate Rustemi

Në komunën e Sarajit ka nisur rregullimi i shtratit të “Lumit të Thatë” në një gjatësi prej 12 kilometrash, nga fshati Bojanë deri në fshatin Gllumovë. Projekti trevjeçar po realizohet nga Ministria e Ekologjisë dhe Komuna e Sarajit. Kryetari i komunës, Muhamed Elmazi, tha se ky projekt sjell siguri për banorët që rrezikoheshin nga çdo vërshim.

“Për vite me radhë banorët e fshatrave përgjatë këtij shtrati kanë jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të përmbytjeve. Kanë parë tokat e tyre bujqësore të dëmtuara, shtëpitë në rrezik dhe sigurinë e familjeve të tyre të vën në pikëpyetje në çdo sezon të rreshurave”, tha Muhamed Elmazi, kryetar i Komunës së Sarajit.

Ministri i Ekologjisë, Muhamed Hoxha, tha se për realizimin e projektit janë siguruar mbi 379 milionë denarë. Sipas tij, përveç mbrojtjes nga përmbytjet, rregullimi i Lumit të Thatë do të ndikojë edhe në uljen e ndotjes dhe eliminimin e rreziqeve për shëndetin e qytetarëve gjatë muajve të verës.

“Ajo që është edhe më e rëndësishme, po i japim fund ndotjes dhe po eliminojmë rreziqet për shëndetin e njerëzve gjatë periudhës së verës. Qytetarët e Sarajit meritojnë një mjedis jetësor të pastër dhe një jetë të sigurt. Ky investim është pjesë e ofensivës sonë të madhe infrastrukturore që po realizojmë në mbarë vendin. Me çdo projekt të ri, me çdo shtrat lumi të pastruar, me çdo rrjet të ri komunal dhe stacion pastrimi, ne po hedhim themele të forta për një kthesë të vërtetë të gjelbër në vendin tonë”, theksoi Muhamed Hoxha, ministër I Ekologjisë

Pas përfundimit të punimeve në vitin 2029, pritet të zvogëlohet ndjeshëm rreziku nga përmbytjet dhe të përmirësohen kushtet e jetesës për banorët e Komunës së Sarajit.

LEXO EDHE:

Back to top button