Trump kërcënon Iranin me sulme të reja, tensionet arrijnë kulmin
Gazetare: Amila Rashiti
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se sulmet ajrore kundër Iranit do të vazhdojnë derisa ai të vendosë se “është mjaft”. Teherani dhe Uashingtoni i intensifikuan armiqësitë në përpjekje për të marrë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Në një intervistë për Fox News, Trump tha se negociatorët amerikanë zhvilluan bisedime me Teheranin gjatë ditës, duke u bërë sërish thirrje zyrtarëve iranianë që të pranojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Ai paralajmëroi, gjithashtu, se ushtria amerikane do të zgjerojë listën e objektivave, nëse Teherani nuk pranon të negociojë.
“Do t’i godasim shumë fort sonte, do t’i godasim shumë fort nesër në mbrëmje, do t’i godasim shumë fort natën pasnesër. Dhe pastaj javën tjetër bëhet shumë keq për ta, sepse javën tjetër vijnë termocentralet, javën tjetër vijnë urat”- Presidenti i SHBA, Donald Trump.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi, ndërkohë, se ka kryer një valë tjetër sulmesh ndaj Iranit, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në zonat bregdetare iraniane.
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se rikthimi i përplasjeve në rajon, paraqet “rreziqe serioze” për civilët.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike deklaroi se trafiku normal detar në Ngushticën e Hormuzit do të rikthehet vetëm nëse SHBA-ja i ndërpret operacionet ushtarake në këtë zonë.
Lufta mes Iranit dhe SHBA-ve ka tronditur tregjet duke bërë që çmimi i naftës të rritet pas kërcënimeve për bllokadë detare. Çmimet u rritën me 2% në nivelin më të lartë njëmujor. Ndërsa konflikti vazhdon, rritja e çmimeve, pasiguria ekonomike dhe humbja e jetëve mbeten pasojat më të rënda. /Alsat.mk








