Më 6 prill, studentët shqiptarë do të protestojnë në Shkup, në shenjë revolte ndaj Ministrisë së Drejtësisë

Gazetar: Suad Bajrami

Pas refuzimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, studentët shqiptarë më 6 prill do të dalin në marsh protestues në Shkup, duke filluar nga Ura e Gurit e deri te objekti i Ministrisë.

“Derisa partitë tona merren të gjejnë fajtorin, janë studentët ata të cilët ngelin peng. Fatkeqësisht. Zbatimi i gjuhës shqipe nuk duhet të jetë në peng të asnjë ministri, të asnjë funksionari. Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve janë të qarta”, deklaroi Mevlan Ademi, Student.

Studentët gjithashtu kërkuan nga partitë politike të mos e politizojnë iniciativën e tyre.

“Pra, ju bëjmë thirrje edhe një herë, mos na përdorni si litar duke na tërhequr secili në anën e vet, por na  mundësoni zgjidhje reale”, tha Jon Selimi, Student.

Lidhur me iniciativën e Avokatit të Popullit për ndryshime ligjore me qëllim që të lejohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, studentët u shprehën që ato ndryshime tanimë është vonë të bëhen, pasi sipas Ligjit për Përdorimit të Gjuhëve, të gjitha ligjet e tjera është dashur të harmonizohen në afat prej 1 viti.

Studentët paraprakisht ndërmorën aksion gueril duke vendosur pankarta me mbishkrime të cilat jepnin porosi se provimi duhet të jepet në gjuhën që i kanë kryer studimet. Në disa prej pankartave, u vërejtën gabime drejtshkrimore.

Ndërkohë ministri i Drejtësisë Igor Fillkov e ka ankimuar aktvendimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili i shqiptoi “vërejtje” për mosrespektim të ligjit, pasi refuzon të lejojë dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip. Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë nga Marrëdhënia e Punës dhe Mbikëqyrje Inspektuese në Shkallë të Dytë, në periudhën në vazhdim duhet që këtë ankesë ta shqyrtojë në seancë. /Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button