Me 65 vota ‘për’ dhe 3 ‘kundër’ Kuvendi zgjodhi Qeverinë Teknike
Me 65 vota ‘për’ dhe 3 ‘kundër’ Kuvendi zgjodhi Qeverinë Teknike

Gazetar: Adrian Kerimi
Me 65 vota “për”, 3 vota “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi zgjodhi Qeverinë Teknike me të cilën për 100 ditë do të udhëheq Talat Xhaferi. VMRO-DPMNE-ja nuk votoi edhe pse në këtë format të organit ekzekutiv merr pjesë me dy ministra dhe tre zëvendësministra plotësues.
Xhaferi në ekspozenë e tij tha se prioritet i mandatit të tij për 100 ditë do të jenë politikat rinore, rruga eurointegruese dhe sundimi i ligjit.
“Sundimi i të drejtës dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, mbetet politika qendrore e Qeverisë. Do t’i zbatojmë dhe mbështesim proceset e nisura për legjislacionin vendor, lëvizjet e proceseve institucionale dhe përcaktimet strategjike bashkërisht me SHBA-të për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionit”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryeministër.
VMRO-DPMNE-ja adresoi tone të ashpra ndaj Xhaferit duke e quajtur dezertor lufte njëjtë si paraardhësi i tij Dimitar Kovaçevski.
“Një dezertor dha dorëheqje, një dezertor tjetër u ul në karrigen e kryeministrit. As ai që iku dhe as ky që do të ulet nuk kanë ndjenja për Maqedoninë. Ashtu si Kovaçevski që ishte kryeministri më i keq deri më tani, mos prisni as nga Talat Xhaferi të punon për sukseset dhe përparimin e shtetit të Maqedonisë. Të nderuar simpatizues të LSDM-së, BDI nuk ka deputet dhe as vota për ta zgjedhur kryeministrin, por sot Kovaçevski dhe Mariçiq e shitën lirë LSDM-në dhe për karriget e tyre nga partia e juaj krijuan shërbëtor të BDI-së”, u shpreh Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i integristëve, Ali Ahmeti iu përgjigj akuzave të opozitës. Ahmeti tha se barazia në Maqedoni të Veriut solli stabiliteti dhe ky vend është shtëpi e përbashkët e të gjithëve.
“Para nesh shtrohen probleme të mëdha që kjo Qeveri dhe e ardhshmja duhet të angazhohet për zgjidhjen dhe për të qenë kreativ në ndërtimin e politikave për të ardhmen. Lufta e ftohtë ka mbaruar dhe tani është një luftë shumë e nxehtë. Nëse jemi patriot neve do të punojmë që vendimin tonë sa më parë ta anëtarësojmë në BE nëse duam që të rijnë të ndalen në vendin ku kanë lindur dhe jetojnë”, deklaroi Ali Ahmeti, Deputet i BDI-së.
E Majta akuzoi VMRO-DPMNE-në se po bëhet pjesë e shkatërrimit të institucioneve bashkërisht me LSDM dhe BDI-në.
“Për 7 vjet LSDM-ja ishte inferiore dhe e dobët kundrejt BDI-së dhe mbetet e tillë edhe sot kur BDI po i shkatërron institucionet. Një qasje e tillë inferiore sot e ka edhe VMRO-DPMNE-ja e cila do t’i ketë dy ministra teknik nën shërbimin e drejtpërdrejtë të BDI-së” , u shpreh Borislla Kermov, Deputet i partisë E Majta.
Aleanca për Shqiptarët si pjesë e Qeverisë teknike kërkoi nga të gjithë aktorët politik që të respektojnë sipas tyre realitetin e ri ndëretnik në vend.
“Nuk kemi rrugëdalje tjetër. Patjetër të përfillet realiteti ndëretnik në vend. Formula e vetme është kohezioni ndëretnike. Kompromiset produktive janë parakusht për të. Kompromisi nuk nënkupton diferencime etnike, fetare dhe politike, por përkundrazi ai nënkupton pranimin dhe zhvillimin e diverzitetit”, nënvizoi Elmi Aziri, Deputet i ASH-së.
Pas votimit kabineti i ri qeveritar u radhiten për foton familjare, por ministrat e VMRO-DPMNE-së bojkotuan këtë fotografi.
Mandati i Qeveritë Teknike zgjat deri më 8 maj ndërsa roli i saj është organizimi i zgjedhjeve parlamentare.
Kritika në rritje ndaj Izraelit për situatën në Gaza. Intervistë me Simona Frankel, Ambasadore jo rezidente e Izraelit që mbulon Maqedoninë e Veriut! /Alsat.mk