Më pak interesim, më pak bagëti – rriten çmimet e kurbaneve
Gazetare: Ajnur Bafqari
Me interesim më të ulët për blerje, çmime më të larta krahasuar me një vit më parë dhe numër më të ulët të bagëtive në dispozicion për shitje. Kështu po zhvillohet tregu i kafshëve në prag të festës së Kurban Bajramit. Një dele kushton nga 200 deri në 700 euro, varësisht nga cilësia dhe pesha e bagëtisë.
Shitësit thonë se sot është dita e parë që kanë dalë për të shitur, ndërsa presin interesim më të madh nesër.
“Kërkesa këtë vit është shumë e dobët, çmimet janë varësisht nga cilësia e bagëtive. 320 deri në 450 euro. Por gjithsesi ka bagëti edhe më cilësore të ruajtur më mirë që shkon nga 500 euro e më lart. Sipas tregut të sotëm kurbani më i shtrenjtë i shitur ishte 650 euro. Shitëm falë Zotit, deri më tani kam shitur 3 dele, dita ende zgjat, tregu ende zgjat.”- tha një shitës.
“Çmimet janë prej vjet e sivjet ka ndryshim, më shtrenjtë, malli i mirë shitet.. Kemi prej në 300 euro dhentë, minimumi 300 euro. Vjet kishte 200-250. Ka ardhur se si ruajnë dhentë njerëzit. Kush e ruan mallin e vetë e shet me shtrenjtë….
-Po thoni se ka më pak dele këtë vit?
– Më pak, më pak, është zvogëluar numri, njerëz nuk ka, e shihni edhe vetë.
Interesim për me ble?
Shumë pak.
-Ta shohim nesër dita e fundit është.
-I kemi shit një 70 copë.”- tha shitësi tjetër.
Takuam disa blerës që ishin të interesuar për blerje të kurbaneve, e në mesin e tyre edhe një qytetar nga mërgimi, i cili vlerëson se çmimet janë të arsyeshme, duke pasur parasysh shpenzimet e tjera për jetë të qytetarëve.
“Çmimet të lira nuk janë edhe aq shtrenjtë, mendoj se janë çmime reale, çfarë heqin këta për t’i ruajtur… Unë jam në kurbet, tash kam ardhur për festa dhe tash kemi dalë të blejmë disa kurbane…. Duke marrë parasysh jetën luksoze që e kanë njerëzit, çmimi është real, tani çdo person e ka një iphone 1500 euro, edhe kurbani është obligim për çdo besimtar nëse i ka kushtet, dasmat lukset me i pa te na çdo familje besoj duhet të presë nga 1 kurban”- theksoi një blerës.
Shitësit thonë se këtë vit ka rreth 60 mijë dele më pak në treg, ata nënvizojnë se dita ditës interesimi për ruajtjen e bagëtive po bie. Shitblerja e deleve rritet zakonisht në prag të festës së Kurban Bajramit, për shkak se për besimtarët myslimanë, therja e Kurbanit është simboli i kësaj feste./Alsat.mk.








