Sinjale të përziera – Irani flet për progres, SHBA për marrëveshje të afërt

Irani bën me dije se është arritur një farë progresi në bisedimet me SHBA-të, por një marrëveshje “nuk është e afërt”. Komentet e zëdhënësit të ministrisë së jashtme, Esmail Baqai, erdhën pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se një marrëveshje mund të arrihet të hënën.

“Është e saktë të thuhet se kemi arritur në një përfundim mbi një pjesë të madhe të çështjeve që janë në diskutim, por të thuash se kjo do të thotë që nënshkrimi i një marrëveshjeje është i afërt, askush nuk mund ta bëjë një pretendim të tillë.” – Esmail Baqai , Zëdhënës i MPJ-së së Iranit.

Memorandumi i mirëkuptimit thuhet se përfshin një zgjatje të armëpushimit 60-ditor, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një plan për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor të Iranit.

Në fundjavë, Presidenti Donald Trump sugjeroi se palët po shkonin drejt një marrëveshje, edhe pse më vonë tha se i kishte udhëzuar negociatorët “të mos nxitoheshin” për përmbylljen e saj. Ndërkohë Sekretari i Shtetit Marco Rubio i cili po qëndron për vizitë në Indi u tha gazetarëve se ndoshta sot mund të ketë lajme të mira

“Jemi ende në proces. Siç thashë, menduam se mund të kishim disa lajme mbrëmë. Ndoshta sot. Duhet pak kohë për të marrë përgjigje. Pra, kemi atë që mendoj se është një gjë mjaft e fortë në tryezë për sa i përket aftësisë së tyre për të hapur Ngushticat, për t’i hapur ato, për të hyrë në një negociatë shumë reale, domethënëse dhe të kufizuar në kohë për çështjet bërthamore, dhe shpresojmë se mund ta realizojmë.” – Marco Rubio, Sekretar i Shtetit i SHBA-së.

Rubio tha se askush si presidenti amerikan Tramp nuk i është qasur në këtë mënyrë çështjes së Iranit bërthamor dhe se Tramp nuk do të bëjë marrëveshje të keqe

“Dhe kështu jam shumë i bindur se të gjithë duhet të jemi shumë të bindur se ose do të kemi një marrëveshje të mirë ose do të duhet ta trajtojmë atë në një mënyrë tjetër. Ne do të preferonim të kishim një marrëveshje të mirë.” – Marko Rubio, Sekretar i Shtetit të SHBA-së.

Përparimi më i madh në negociata duket se lidhet me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, të cilat, prej kohësh, janë pengesë kryesore në bisedime. Sipas një zyrtari të lartë të administratës Trump, Teherani ka rënë dakord “në parim” që të heqë dorë nga rezervat e uraniumit pranë nivelit për armë bërthamore, megjithëse ende janë duke u negociuar mënyrat e zbatimit dhe verifikimit.  Aktualisht, Irani posedon mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar në 60 për qind, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore – një nivel shumë përtej nevojave civile dhe vetëm një hap teknik larg nivelit për armë bërthamore.

CBS News, ka raportuar se inteligjenca amerikane beson se udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili u plagos në një sulm izraelit në ditën e parë të luftës, ku u vra babai dhe paraardhësi i tij, është fshehur në një vend të fshehtë, duke e bërë të vështirë komunikimin me të dërguarit e tij dhe për këtë arsye duke vonuar ritmin e bisedimeve me SHBA-në.

LEXO EDHE:

Back to top button