Mediat: Gruevski ka shtetësi hungareze / Mickoski: Ne si qeveri s’kemi njohuri

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ish kryeministri Nikolla Gruevski ka marrë shtetësi hungareze në vitin 2022. Kështu raportoi portali hungarez “Vi skuer” (vsquare) duke ju referuar burimeve të tij. Sipas tyre, Gruevski i cili ishte arratisur në Hungari që në nëntor të 2018 dhe kishte marrë azil politik, besohet se jeton akoma atje.

Çështja e tij u aktualizua kur kryeministri Peter Magjar premtoi se Hungaria nuk do të shërbente më si një strehë e sigurt për kriminelët ndërkombëtarë. Në këtë grup bien ish-ministri polak i drejtësisë Zbigniev Ziobro, i cili mori azil pas arratisjes së tij në Hungari në vitin 2025 dhe ish-zëvendësi i tij Marcin Romanovski, i cili kishte ikur në Budapest në fund të vitit 2024 me akuza për keqpërdorim të fondeve publike.

Por, pozicioni i Gruevskit është gjithashtu shumë më i sigurt se ai i polakëve. Deri sa azili politik mund të revokohet, shtetësia e plotë është një status shumë më i vështirë për t’u hequr, duke i dhënë Gruevskit një nivel mbrojtjeje ligjore që premtimet e Magjarit nuk mund ta arrijnë lehtë. Heqja e shtetësisë kërkon vërtetimin se ai e fitoi atë me mashtrim ose nëpërmjet korrupsionit. Në këtë rast, sipas artikullit hulumtues, prokurorët do të duhet të vërtetojnë se funksionarë pushtetit të ish kryeministrit hungarez Viktor Orban ishin të përfshirë në marrëveshje korruptive për dhënien e shtetësisë.

Kryeministri Hristijan Mickoski mohon të ketë informacion të tillë.

“Jo, ne nuk i kemi këto informacione”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

LSDM-ja disa herë ka thënë se Gruevski mban pasaportë hungareze edhe serbe, duke ngritur pyetje se sa dokumente udhëtimi mund të grumbullojë një i arratisur nga drejtësia, nëse ka miqtë e duhur. Partia opozitare prej ditësh kërkon llogari nga Ministria e Drejtësisë se përse vonohet dorëzimi i dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit.

“Nuk ka reforma, nuk ka dokumente për ekstradimin e Gruevskit dhe kthimin e tij në burg, ekziston vetëm Stoilkoviç dhe Kina, e cila po punon me strategji kundër partnerit strategjik, Shteteve të Bashkuara”, thonë nga LSDM-ja.

Nga Drejtësia thonë se pavarësisht statusit të Gruevskit, procedura për ekstradim vazhdon normalisht.

Gruevski iku nga Maqedonia e Veriut në nëntor 2018, disa ditë para se të fillonte të vuante dënimin dyvjeçar në rastin “Tanku”, ose blerjen e një Mercedesi luksoz antiplumb me vlerë 600,000 euro. Ai kaloi në Shqipëri, pastaj përmes Malit të Zi dhe Serbisë, thuhet se me ndihmën e një automjeti diplomatik hungarez. Qeveria e Orbanit i dha atij azil politik, në atë që mediat e huaja e quajtën marrëveshje për “refugjatët VIP”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button