Medreseja/ BFI e shqetësuar për vendimin

Medreseja/ BFI e shqetësuar për vendimin

Gazetar: Suad Bajrami

Përplasje mes partive shqiptare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë paraprake të udhëhequr nga kryeministri teknik Talat Xhaferi, me të cilin Medreseja Isa Beu mori statusin e shkollës së mesme private- gjimnaz.

Sipas VLEN, BDI-ja ka mashtruar dhe ka luajtur me ndjenjat e besimtarëve duke i gënjyer se ka zgjidhur çështjen, por në fakt ka bërë akreditim të rrejshëm të Medresesë Isa Beu.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar akreditimin e rrejshëm të Medresesë “Isa Beu” është goditje ndaj të gjithë atyre që janë mashtruar nga premtimet boshe të BDI-së dhe heshtjes bashkëpunuese të BFI-së. Sot doli e vërteta në shesh se medreseja nuk është akredituar kurrë në mënyrë të ligjshme dhe se BDI vetëm e përdori nëpër fushata, siç përdor çdo simbol, çdo ndjenjë, çdo nevojë të shqiptarëve për t’i mashtruar. Ne jemi duke punuar për një zgjidhje përmes së cilës kjo çështje do të mbyllet përfundimisht, një herë e mirë larg manipulimeve të së kaluarës dhe afër drejtësisë së merituar për shqiptarët”, thonë nga VLEN.

Nga BDI, thonë se vendimi është antikushtetues dhe sulm ndaj lirisë fetare në vend.

“Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon fuqishëm vendimin politik dhe antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese që ndalon Bashkësinë Fetare Islame nga organizimi i arsimit të mesëm, duke i mohuar mijëra të rinjve të drejtën për arsim dhe për të ndërtuar të ardhmen sipas bindjeve dhe identitetit të tyre. Ky vendim është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë fetare, ndaj dinjitetit të komunitetit mysliman dhe ndaj një të drejte që u fitua si korrigjim i një padrejtësie historike gjatë qeverisjes së udhëhequr nga BDI. BDI nuk do të hesht përballë këtij poshtërimi”, thonë nga BDI.

Paraprakisht nga BFI theksuan se shprehin shqetësim dhe mospajtim të thellë me vendimin e miratuar nga Gjykata Kushtetuese, me tē cilin, sipas tyre vazhdohet me politikën e mosrespektimit të Kushtetutës dhe krijohet vazhdimësi e mekanizmit të diskriminimit të nxënësve të Medresesë. Më 26 mars të vitit të kaluar, qeveria teknike e udhëhequr nga Xhaferi kishte njoftuar me pompozitet se ka zgjidhur çështjen e medresantëve të cilët nuk mundeshin të vazhdonin shkollimin e lartë në universitetet e vendit, pasi statusi i Medresesë ishte shkollë fetare.

Qeveria, kishte sjellë vendim me të cilin Medresesë Isa Beu i jepej statusi i shkollës private gjimnaz. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se në fakt, Qeveria e udhëhequr nga Xhaferi nuk ka gjetur zgjidhje përkatëse për medresantët, pasi sipas tyre është shkelur ligji dhe Kushtetuta, pasi bashkësitë fetare u ndalohet themelimi i shkollave të mesme civile.

Njëkohësisht, në shkolla ndalohet organizimi dhe veprimtaria fetare. Me këtë, medresantët rikthehen sërish në pozitën që kanë qenë paraprakisht, respektivisht me diplomë nga Medreseja Isa Beu, nuk mund të vazhdojnë studimet në universitetet e vendit.

LEXO EDHE:

Back to top button