Mexhiti, i vendosur për shkarkimin e Jovevit

Mexhiti, i vendosur për shkarkimin e Jovevit

Gazetare: Vjollca Aliti

Ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i vendosur në vendimin e tij për shkarkimin e drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë Sashko Jovev. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se inspektorët kanë konstatuar se Klinika nuk ka dorëzuar raport financiar për vitin e kaluar si dhe nuk ka kërkuar pëlqim nga ministria për kujdestaritë, për gjatë vitit të kaluar e deri në tre muajt e vitit 2023. Klinika po ashtu nuk ka pasur evidencë elektronike për prezencën e personelit mjekësor për vendin e punës dhe orarin. Kujdestaritë sipas inspektorëve janë organizuar dhe janë paguar në bazë të koeficientit.

Gjatë shpalosjes së parregullsive, inspektorët thanë se  është e pamundur që një mjek fizikisht të qëndrojë 30 ditë në punë 24 orë dhe të pranojë 200 thirrje dhe të mbajë 8 kujdestari, duke aluduar në parregullsitë e konstatuara.

Drejtori i shkarkuar Jovev parregullsitë e konstatuara i quajti qesharake, pasi sipas tij bëhet fjalë për lëshime të imëta.

Por pak ditë pasi e shkarkoi nga posti i drejtorit, ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti i bëri thirrje publike kardiokirurgut Jovev të bëhet pjesë e kabinetit të tij si këshilltar nacional për kardiokirurgji. Mexhiti nuk precizoi nëse do ta rishqyrtojë vendimin për shkarkim, por tha se në vazhdim inspektorët e ministrisë së Shëndetësisë po shqyrtojnë punën e drejtorit ekonomik të kësaj Klinike, dhe në rast se konstatohet shkelje dhe nga ana e tij, do të ketë përgjegjësi.

“I bëj thirrje profesorit të nderuar të më bëhet këshilltar nacional për kardiokirurgjisë . pos kësaj unë do angazhohem që buxheti I Klinikës të cilin e kam trashëguar, e që është deficitar gjatë rebalancit të buxhetit, jam I gatshëm të kërkoj të rritet ai buxhet”. “I nderuari professor Jovev do të vazhdojë të jetë I punësuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë ndërsa unë do ta mbështes pa rezervë në punën e tij të mëtejme të profesorit”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër I Shëndetësisë.

Ftesën që të bëhet pjesë e kabinetit të ministrit, Jovev e cilëson si nderë, megjithatë thotë se vendi i tij është në krye të Kardiokirurgjisë. Ndryshe, që nga emërimi I Fatmir Mexhitit si ministër I Shëndetësisë e deri më tash gjithsej janë shkarkuar dhe dorëheqje kanë dhënë 20 drejtorë Klinikash, disa prej tyre pas konstatimeve të parregullsive. Parregullsitë janë konstatuar nga ana e inspektorëve të Komisionit për konstatimin e kryerjes së punës mbi ligjore të institucioneve publike shëndetësore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button