Mickoski flet për zgjedhje të shpejta, Filipçe thotë se qeveria flet për zgjedhje se nuk ka para në buxhet

Gazetare: Fatlume Dervishi

Për herë të dytë brenda një jave, kryeministri përmend zgjedhjet parlamentare. Duke mos sqaruar më shumë, ai tha se LSDM-ja dhe Filipçe do të margjinalizohen dhe zhduken në zgjedhjet e ardhshme që janë afër.

“Mua me vjen keq që ata përsëri vendosën të gjunjëzohen para interesave të huaja dhe jo të qëndrojnë krah për krah me qeverinë në mbrojtje të interesave nacionale por lajmi i mirë është që së shpejti do të ketë zgjedhje dhe pas atyre zgjedhjeve, partia që ai e drejton do të margjinalizohet dhe unë shpresoj se edhe ai, edhe ata si ai, përgjithmonë do të zhduken nga politika dhe do të vinë njerëz që e duan vendin dhe që janë patriot të vërtetë dhe që do të luftojnë bashkë me këtë qeveri dhe me mua”, tha kryeministri Hristijan Mickoski. 

Përgjigja e kryeministrit ishte rreth deklaratave të kreut të opozitës Venko Filipçe i cili tha se Bullgaria nuk e konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Filipçe po ashtu nuk e dinë se për cilat zgjedhje flet kryeministri.

“Nuk e di se për çfarë zgjedhjesh bëhet fjalë. Supozoj se bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare sepse nuk ka para dhe më nuk mund të ndajnë tenderë partiak për personat rreth tij. Nuk kanë çfarë të bëjnë. Është e qartë se me këto metoda dhe në këtë mënyrë nuk mund të qeveriset gjatë sepse ne i zbardhim gënjeshtrat e tyre dhe publikojmë krimet e tyre. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që të ndodhin dhe do t’i japim fund kësaj qeverie kriminale”, tha kryetari i LSDM-së,Venko Filipçe. 

Deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare ka edhe dy vite. Ndërkohë Mickoski ka paralajmëruar rikonstruim të radhëve të qeverisë. Ai deklaroi se akoma nuk ka zhvilluar negociata rreth rikonstruimit me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button