Mickoski i kënaqur me Samitin, përsëritë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Edhe pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, kryeministri Mickoski nuk lëkundet nga qëndrimi i ngurtë. Ai përsëriti se ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin ndërsa vendi nuk merr garanci të forta për fillimin dhe përfundimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Derisa unë jam kryetar i Qeverisë, asnjëherë nuk do të mbështes ndryshime kushtetuese ku nuk do të kem fund të qartë se do të fillojmë procesin dhe do ta përfundojmë. Derisa nuk kam garanci të qarta se nuk do të kem më çështje bilaterale dhe çështje identiteti. Vetëm ndryshime të tilla kushtetuese mund të mbështes. Gjithçka tjetër nuk do të mbështes, këtë po e përsëris me numër tre shifror herë”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

Megjithatë kryeministri Hristijan Mickoski shprehet i kënaqur dhe i motivuar nga Samiti i djeshëm ku Gjermania dhe Franca propozuan modelin e integrimit gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor. Optimizmin Mickoski e bazon në siç thotë bisedat që ka realizuar me presidentin francez Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc në takimet bilaterale.

“Nuk është e saktë teza se duhen ndryshime të marrëveshjeve që të mundet ky plan të jetë funksional. Plani është bërë aq preciz që të mundësojë mekanizma për shtetet që janë vetëm kandidate, pasi bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor e këtu ka shtete që nuk janë as kandidate, të themi Kosova nuk është kandidate, Bosnja e Hercegovina nuk ka mbajtur as konferencën e parë ndërqeveritare”, deklaroi Mickoski.

Ndonëse Mickoski thotë se ndryshimet kushtetuese nuk lidhen me procesin e integrimit gradual, ato mbeten kushti kryesor që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në dhe këtë e përsëriti edhe kryeministri bullgar Rumen Radev gjatë samitit në Tivat.  Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një të ashtuquajtur non-paper përmes të cilit propozojnë integrim gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian. Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma. Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button